Tuneli i Llogarasë; Ministria e Infrastrukturës lehtëson kushtet dhe shtyn afatin e tenderit në 23 shkurt

Share

Ministria e Infrastruturës dhe Energjisë (MIE) që parashikonte dorëzimin e ofertave për ndërtimin e tunelit të Llogorasë datën 12 shkurt e ka shtyrë këtë afat në 23 shkurt 2021. Referuar dokumenteve të kësaj ministrie janë bërë ndryshime dhe sqarime edhe sa i takon specifikimeve teknike për operatorët që kanë interes për t’u bërë pjesë e procedurës. Në kapitullin 12 ku renditen kriteret specifike të kualifikimit në paragrafin që lidhet me kapacitetin financiar dhe ekonomik kur bëhet fjalë për fitimin para interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amotirizmit për pesë vitet e fundit pra 2015-2019 ishte vendosur një shumë prej 50 milionë eurosh. Tashmë ky kriter është korrigjuar dhe është ulur në vlerën 20 milionë euro. Po kështu është sqaruar edhe pjesa e realizimit të një projekti të ngjashëm ku nëse më herët kërkohej që operatori të provonte se në 5 vitet e fundit ka ndërtuar një kumulative prej 8 kilometrash tunel tashmë do ti kërkohet të provojë që projektin e ka zbatuar me një afat 3 vjeçar.

Nëse më herët kërkohej që të kishte realizuar punë të ngjashme me një vlerë sa 70 për qind e fondit limit të kontratës tashmë kriteri ka zbritur në 50 për qind të fondit limit të kontratës. Lidhur me këtë të fundit ministria sqaroi operatorët me një shkresë të veçante.

“Referuar Dokumenteve Standarde të Tenderit, (DST), përkatësisht shtojca 12, pika 2.3/a: Kapaciteti Teknik, referenca për kontratën e ngjashme, bazuar në Vendimin nr.914 datë 29.12.2014 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik” të ndryshuar, neni 26/6 “Kontrata për punë publike”, ku shprehimisht kërkohet: “…. punë të ngjashme për një objekt të vetëm në një vlerë jo më të madhe se 50% e vlerës së përllogaritur të kontratës që prokurohet dhe që është realizuar gjatë tri viteve në pesë vitet e fundit”,

Informojmë të gjithë operatorët ekonomikë të interesuar për procedurën se ky kriter për kualifikim, duhet të plotësohet nga operatorët të cilët kanë realizuar një kontratë prej 50% të fondit të limit të kësaj procedure. Konkretisht e shprehur në vlerën prej 9 590 440 231.6 (nëntë miliard e pesëqind e nëntëdhjetë milion e katërqind e dyzet mijë e dyqind e tridhjetë e një pike gjashtë lekë) pa TVSH” sqaroi MIE.

Tenderi për tunelin e Llogarasë

Në mes të dhjetorit Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hapi garën për kontratën që ka për objekt “Ndërtimin e Tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë pjesë e Autostradës SH8 (Vlorë – Sarandë)” u çel me një fond limit prej 19.1 miliardë lekësh apo rreth 155 milionë euro. Në dokumente është specifikuar se operatori që do të rezultojë fitues në fund të garës do të ketë në dispozicion 37 muaj pra më shumë se tre vjet për të bërë zbatimin e kontratës ndërsa burimi i financimit do të jetë buxheti i shtetit.

Tuneli do të ndjekë projektin që u shpall fitues vetëm pak kohë më parë në një tjetër garë të hapur nga qeveria. Fitues rezultoi bashkimi i operatorëve ekonomikë iC Consulenten Ziviltechniker GESmbh, kompani inxhinierike e regjistruar në Austri, ELEA iC d.o.o dhe IBE d.d svetovanje, projektiranje in inzeniring – kompani inxhinierike regjistruar në Slloveni, dhe SEED Consulting sh.p.k. dhe “InfraKonsult” sh.p.k.

Tuneli i Llogarasë parashikohet të ketë një gjatësi prej afro 6 kilometrash, i cili nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit deri në urën e Palasës. Sipas llogaritjeve, duke kaluar përmes tunelit prej 6 km, me një shpejtësi 50-80 km/orë, do të bënte që kjo rrugë të përshkohej për 7- 10 minuta./Monitor.al


Share

Komente