Turizmi larg normalitetit, netëqëndrimet në hotele ranë ndjeshëm në muajt e fundit

Share

Hotelet, bujtinat dhe strukturat e tjera akomoduese janë larg rikuperimit të pasojave të krizës. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregtojnë se në tremujorin e fundit të vitit, numri i netëqëndrimeve në këto struktura ra me 58,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Nëse eksportet, tregtia dhe shërbimet shfaqën shenja përmirësimi në muajt pas karantinës, turizmi që përbën një nga sektorët me peshën më të madhe në ekonomi, shënon rënien më të fortë të xhiros.

Kufizimi i lëvizjeve ka penguar shumë turistë dhe profesionistë të huaj të vijnë në Shqipëri, duke shënuar mbi 48% më pak netëqëndrime. Por më problematik është rënia e xhiros nga vetë shqiptarët, në 64,5% më pak, çka tregon një stepje të fortë të konsumit.

Rajoni i Veriut dhe zonat bregdetare kanë shfaqur rënien më të fortë në vizitorë dhe klientë, por netëqëndrimet janë së paku përgjysmuar në të gjithë vendin.

Për këtë periudhë, që përfshin nga tetori deri në dhjetor, norma e shfrytëzimit të shtretërve ra në 5,8%, kundrejt 12,8% në vitin 2019. Kjo do të thotë që për 100 dhoma të një hoteli, vetëm 6 prej tyre u përdorën, duke dhënë një ndikim të madh edhe në shkurtimin e forcës punëtore dhe një rëndim të gjendjes financiare të këtyre strukturave.


Share

Komente