Turizmi në Liqenin e Ohrit i goditur rëndë nga pandemia

Shpërndaje lajmin

Turizmi është një ndër sektorët që më së shumti u godit nga pandemia globale e COVID19. Buxheti dhe ekonomia qyteteve që gravitojnë rreth Liqenit të Ohrit u prekën direkt nga masat kufizuese për preventivë ndaj COVID19. Shifra e turistëve që vizituan qytetin e Strugës në vitin 2019 u përgjysmua në vitin 2020. Me të njëjtin realitet përballet dhe qyteti i Pogradecit në Shqipërinë fqinje. Rimëkëmbja e sektorit turistik në qytetet buzë Liqenit të Ohrit duket e vështirë edhe gjatë vitit 2021, shkruan Portalb.mk.

Kriza e shkaktuar nga COVID-19, në botë, por edhe në vendet e rajonit, ka prekur më së shumti sektorin e turizmit. Të ardhurat nga turizmi janë ndër burimet kryesore për qytetet që gravitojnë rreth Liqenit të Ohrit. Në këtë zonë turizmi siguron veprimin e shumë bizneseve por edhe ekzistencën e shumë familjeve. Struga është destinacioni i dytë më i vizituar në Maqedoninë e Veriut, pas Ohrit, e jo më pak i dashur për turistët është edhe qyteti i Pogradecit buzë Liqenit të Ohrit në Shqipëri. Gjatë vitit 2019 në Strugë kanë qëndruar 106 406 turistë, prej të cilëve 52 372 janë turistë vendas dhe 54 034 turistë të huaj. Si pasojë e pandemisë, në vitin 2020 numri i pushuesve në Strugë u përgjysmua. Në vitin 2020 në Strugë janë regjistruar gjithsej 62 484 turistë, prej të cilëve 54 930 janë turistë vendas dhe vetëm 7 554 turistë të huaj.

Shifrat në sektorin turistik janë dëshpëruese edhe në Shqipëri.

Sipas analizave të INSTAT në tremujorin e tretë të vitit 2020 numri i vizitorëve gjithsej është ulur me 43,3 %, në krahasim me tremujorin e tretë 2019 ndërsa numri i netë qëndrimeve gjithsej është ulur me 44,9 %, në krahasim me tremujorin e tretë 2019. Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2020 numri i vizitorëve të huaj është ulur me 59,3 %, në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2019.

Sa është premtues sezoni i veror 2021 për turizmin në Liqenin e Ohrit?
Në prag të fillimit të sezonit veror, rimëkëmbja e sektorit të turizmit duket e vështirë. Edhe pse sektori i turizmit fiton më shumë nga turistët e huaj, me sa duket edhe këtë vit hotelet do të punojnë kryesisht me turistë vendor apo lokalë. Turistët e huaj pritet më së shumti të vinë nga vendet fqinje ndërsa mikpritja e turistëve nga vendet e ndryshme të botës edhe këtë vit pritet të jetë e ulët.

“Sektori më i goditur nga pandemia është turizmi. Humbjet e këtij sektori gjatë vitit 2020 dhe gjysmës së vitit 2021 arrijnë deri në 98%. Jemi shumë pesimist për sezonin e ri veror duke pasur parasysh situatën me pandeminë dhe nevojën që turizmi të merret më seriozisht de të ketë mbështetje thelbësore. Nuk kemi asnjë paralajmërim për ardhjen e turistëve të huaj. Nga muaji në muaj shtyhen planet nga operatorët e huaj turistik. Akoma nuk kemi paralajmërime pozitive”- u shpreh për portalb.mk Asim Medjedovic, drejtori i agjencisë “Fibula Air Travel”-Ohër.

Operatorët turistik në Strugë dhe Ohër presin ndihmë pa kushte dhe thelbësore për sektorin turistik. Ato kanë disa kërkesa të cilat presin të realizohen sa më shpejtë nga autoritetet.

“Lehtësim dhe modernizim i rregullores për subvencionim, vënia në funksion e Komitetit për turizëm me të cilin kryeministri duhet të mundësojë fushatë aktive diplomatike në vendet nga ku në të kaluarën na kanë ardhur shumë turistë. Këto kërkesa janë dërguar nga ana e të gjithë organizatave dhe odave turistike dhe institucionet duhet sa më shpejtë të reagojnë për shkak se sezoni veç më është humbur, të mos lejojmë të dështojmë komplet”, thekson Asim Medjedovic.

Nga ana tjetër, udhëheqësit dhe operatorët turistik shprehen të shqetësuar për rrjedhën e ngadalshme të procesit të vaksinimit në Maqedoninë e Veriut.

“Kemi filluar të pranojmë disa rezervime por është shumë larg nga ajo që presim. Me sa duket edhe këtë vit tregu kryesor do të jetë tregu vendor por ne shpresojmë se gjërat do të përmirësohen dhe presim që të hapen kufijtë. Hoteli jonë ka 207 dhoma por ne nuk presim të punojmë me kapacitet maksimal këtë vit. Ne presim nga shteti mbështetje të pakushtëzuar për këtë sektor, rroga, asistencë financiare të pakthyeshme për sektorin turistik dhe test PCR falas për turistët e huaj. Madje duhet vaksinuar i gjithë stafi i hotelit që turistët të ndihen të sigurt, përderisa shumë vende thuajse kanë përfunduar me vaksinimin Maqedonia e Veriut është akoma në fillim të procesit” –Aysegul Onder, menaxhere e hotel “Izgrev” në Strugë.

Në Maqedoninë e Veriut sektori i turizmit dhe gastronomisë po proteston para qeverisë me qëllim që autoritet ti përmbushin kërkesat e tyre. Në pakon e gjashtë të masave për gastronomët janë rezervuar 10 milion euro, e megjithatë kjo paket nuk përmbush kërkesat e këtij sektori. Gastronomët janë të mendimit se masat e shtetit do të kontribuojnë në zbutjen e pasojave, por pretendojnë se fondet e parashikuara janë larg nga ato që u duhen aktualisht për të shpëtuar sektorin turistik.

Ndryshe nga Struga, hotelierët në Pogradec shprehen optimist për sezonin veror 2021. Ata shprehen se këtë vit mendojnë të punojnë me kapacitete të plota dhe se rezervimet kanë filluar si nga turistë të huaj ashtu edhe nga turistë vendas.

“Sigurisht që pati ndikim negativ, në përgjithësi të gjitha fushat e jetës por më së shumti turizmi, po ashtu pati rënie të ndjeshme në qytetin e Pogradecit, gjithashtu dhe në hotelin tonë. Ne jemi optimistë që ky sezon do të jetë i mire dhe i mbarë, pasi kanë filluar rezervimet nga turistë të huaj dhe vendas”, u shprehen për portalb.mk Jurgen Hamolli nga menaxhmenti i hotelit “Hyrmeti’s Palace” në Pogradec.

Imunizimi global është shpresa e vetme që ky sektor të rikthehet në normalitet. Pronarët e hoteleve kërkojnë që stafi i tyre të ketë përparësi në procesin e vaksinimit me qëllim që ndihen të sigurt turistët./portalb.mk


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *