Turqi: Pije alkoolike vdekjeprurëse

Share

Që kur qeveria rriti taksën e alkoolit në Turqi po shtohet prodhimi i pijeve alkoolike të falsifikuara. Pijet të tilla kanë shkaktuar edhe vdekje.

Gati njëqind vetë kanë vdekur brenda tre muajsh prej alkoolit të falsifikuar në Turqi, ku prodhimi i pijeve alkoolike të falsifikuara po shtohet që kur qeveria rriti taksën e alkoolit.

Edhe e reja Derya Altan ra viktimë e pijeve alkoolike të falsifikuara. Babai i saj Shabani kujton ditën kur ajo vdiq: “Ajo u takua me disa miq dhe njëri prej tyre kishte blerë alkool. Ishte alkool i paligjshëm, i falsifikuar. Kur filloi të ndihej keq ditën tjetër, shkoi në spitalin lokal. Nga atje e çuan në klinikën më të afërt universitare, ku e mbajtën shtatë ditë në reanimacion. Por nuk mundën ta shpëtonin “.

Tani policia turke i ka shtuar bastisjet në distileritë e paligjshme. Biznesi i pijeve alkoolike në Turqi është shumë fitimprurës, kur tani alkooli legal është më i shtrenjtë se në shumicën e vendeve evropiane.

Humbje për kulturën kulinarike të Turqisë

Çmimi i një shisheje raki është dyfishuar nga viti i kaluar dhe tani kushton rreth 18 euro. Rritja e taksave i ka shndërruar pijet alkoolike në një artikull luksi. Disa thonë se kjo i nxit klientët të konsumojnë pije alkoolike të falsifikuara

“Ata që e shohin pirjen e alkoolit si mëkat duan që njerëzit që duan të pinë të paguajnë një çmim të lartë. Por qytetarët nuk po e paguajnë atë çmim vetëm me para, por gjithnjë e më shpesh edhe me jetën e tyre.” – thotë politikani opozitar Ali Seker.

Të tjerë kanë frikë se me shtrenjtimin e taksave për pijet alkoolike mund të humbasë një pjesë të kulturës kulinarike të Turqisë.

“Skocezët kanë uiskin e tyre, francezët verë, grekët kanë uzon dhe këtu në Turqi ne kemi rakinë. Ajo është pjesë e kulturës sonë që e njeh gjithë bota. Nëse disa njerëz duan ta heqin qafe këtë pasuri kulturore, ku është e mira e kësaj?” – thotë pronari i një bari.

Për Shaban Altanin pirja e alkoolit nuk është mëkat. Ai i quan tregtarët e pamëshirshëm të pijeve të falsifikuara përgjegjës për vdekjen e së bijës. “Ajo ishte një e re e lumtur, gjithmonë e gatshme për të qeshur dhe kishte mjaft të njohur. Më shumë se 100 të rinj erdhën në varrimin e saj, miq dhe të njohur. Unë mendoj se nëse çmimet e alkoolit do të ishin më të ulta, ajo nuk do të vdiste.” – thotë Shabani./DW


Share

Komente