April 15, 2021

Turqia ndalon 184 “gylenistë” të dyshuar, ndërsa goditja vazhdon

Shpërndaje lajmin

Ky lajm u publikua fillimisht në www.reporter.al, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative.

Forcat e sigurisë ndaluan 184 persona, duke përfshirë personel ushtarak, ish-ushtarak dhe civilë, të akuzuar për lidhje me lëvizjen e udhëhequr nga kleriku Fethullah Gulen, i cili qeveria turke pretendon se u përpoq të bënte një grusht shteti në 2016.

Flamuri turk pranë urës së Bosforit. Foto: Wikipedia.

Operacionet e policisë dhe xhandarmërisë të martën në mëngjes në 55 qytete në të gjithë Turqinë rezultuan në arrestimin e 184 personave, përfshirë 123 personel ushtarak në shërbim, dhe dhjetëra civilë.

Prokurorët në qytetet e Izmirit dhe Ankarasë i urdhëruan arrestimet bazuar në informacione nga Agjencia Kombëtare e Inteligjencës, nën pretendimet se të dyshuarit kanë lidhje me klerikun Fethullah Gulen, i cili akuzohet nga Ankaraja për krijimin e një grushti të shtetit të dështuar në 2016.

“Si pjesë e një hetimi në vazhdim, u nis një operacion për të ndaluar oficerë ushtarak të cilët u zbulua se kishin lidhje me FETO-n”, tha në një deklaratë Zyra e Prokurorit të Ankarasë.

FETO, ose Organizata Terroriste Fetullahiste, është emri që qeveria turke i ka vënë lëvisjes së themeluar nga Guleni.

Të dyshuarit akuzohen se kanë komunikuar me gylenistë të lartë nga telefona publikë.

Operacioni ishte një nga më të mëdhenjtë kundër gylenistëve të pretenduar që nga përpjekja e dështuar e grushtit të shtetit në 2016.

Ndër të ndaluarit ka dy kolonelë, shtatë majorë, dhjetë kapitenë, 24 togerë dhe 103 rreshterë. Tridhjetë e tetë prej tyre janë kadetë ushtarakë. Të ndaluarit po shërbenin ose kanë shërbyer në degë të ndryshme të Forcave të Armatosura Turke.

Të ndaluarit e tjerë përfshijnë ish-mësues që kanë lidhje të dyshuara me rrjetin e Gulenit dhe njerëz që akuzohen se kanë ndihmuar gylenistët të largohen nga vendi.

Sipas Agjencisë së Lajmeve Demiroren të Turqisë, zyra e prokurorit në Izmir gjithashtu njoftoi se 679 personel ushtarak janë shkarkuar nga shërbimi që nga 13 tetori 2020 si pjesë e hetimeve të vazhdueshme.

Qeveria turke nën udhëheqjen e presidentit Rexhep Tajip Erdogan e akuzon Gulenin, i cili ka jetuar në mërgim të vetë-imponuar në SHBA që nga viti 1999, dhe rrjetin e tij për operimin e një strukture paralele brenda shtetit turk dhe orkestrimin e përpjekjes për grusht shteti në korrik 2016.

Guleni i ka mohuar akuzat.

Në total, 292,000 njerëz janë arrestuar dhe gati 598,000 njerëz janë hetuar për shkak të lidhjeve të tyre të pretenduara me Gulenin.

Sipas ministrisë turke të mbrojtjes dhe asaj të brendshme, që prej grushtit të dështuar të shtetit, rreth 21,000 anëtarë të forcave të armatosura turke, 31,000 oficerë policie, më shumë se 5,500 oficerë xhandarmërie dhe 509 roje bregdetare kanë humbur punën për lidhjet e tyre të pretenduara me Gulenin.

Më shumë se 30,000 vetë janë në burgjet turke për shkak të lidhjeve të tyre të dyshuara me klerikun dhe më shumë se 125,000 nëpunës civilë janë pushuar nga puna.

Ky lajm u publikua fillimisht në www.reporter.al, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative. Hamdi Fırat Buyuk


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *