“Turqia po e teston Shqipërinë me politika ditore”

Share

Edi Rama, këtë të premte, zhvilloi takim me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias, si dhe me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, i cili ishte njoftuar më herët dhe që vjen pas vizitës së tij në Turqi, ku u prit nga Presidenti Erdogan. Këto ditë vizitash kanë ngjallur mjaft pikëpyetje në opinion dhe për t’i kuptuar më mirë, foli në A2 profesori i historisë politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi.

Bytyçi u shpreh se, në marrëdhëniet me fqinjët dhe aleatët tanë, çdo udhëheqës politik në Shqipëri të kuptojë se, këto marrëdhënie nuk mund të ndërtohen në politikën ditore dhe aq më pak në ndihmë të fushatave elektorale në vendin tonë.

“Vizitat e Ramës në Ankara dhe Athinë janë vizita të mirëpritura nga opinioni. Unë besoj se çdo marrëdhënie e mirë mes këtyre shteteve i shërben stabilitetit të rajonit dhe ne si popull dhe shtet. Çdo gjë që bëhet për afrimin e këtyre vendeve është në të mirë të dy palëve. Në rastin konkret, ne kemi parë dy pamje. Së pari, vizitën si një akt civilizues, që krijon premisa për të realizuara objektiva të përbashkëta në rajon. Së dyti, vizita si një akt për qëllime elektorale dhe të politikës ditore.

Ka ndodhur edhe më parë, por në rastin konkret kemi një shfaqje shumë të ekspozuar të këtij komponenti. Sidomos vizita në Ankara, konferenca e përbashkët e Ramës dhe Erdogan, ku presidenti i Turqisë, dy herë radhazi, cilësoi faktin që në kuadrin e zgjedhjeve do të realizojë disa objektiva, e bëri vizitën deri diku të kompromentuar”, tha Bytyçi.

Për Bytyçin, Turqia po e teston Shqipërinë me politika ditore. “Në periudhën nga 1990-2010, Turqia ka investuar shumë në zhvillimin ekonomik në sektorë strategjik në Shqipëri, ndërsa në 5 vitet e fundit ose 10 vitet e fundit, shohim që investimet turke, pavarësisht se Turqia zë një vend të rëndësishëm në investimet në Shqipëri, janë zvogëluar në sektorë strategjikë. Kjo do të thotë se Turqia po e teston Shqipërinë me politika ditore”, tha Bytyçi.


Share

Komente