“U fshehën 600 vdekje nga Covid”/ Mjekja Çomo i përgjigjet Bashës: Është praktikisht e pamundur. Të gatshëm për hetime

Share

Një ditë pas akuzave të kreut të PD, Lulzim Basha se janë fshehur vdekjet nga Covid-19, ka ardhur reagimi i mjekëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilët  thonë se po goditet puna e tyre.

Në një deklaratë për mediet, shefja e Spitalit Infektiv Najada Çomo shprehet se i konsideron deklaratat e Bashës si goditje ndaj punës së tyre.

Shprehim publikisht habinë për deklaratën e Bashës dje në një emision televiziv. Goditje e akuza të përpjekjeve tona gjithë këto muaj. Përballë akuzash të tilla e shohim të domosdoshme të informojmë publikun se, nuk është kurrsesi e vërtetë që janë fshehur vdekje nga Covid, është praktikisht e pamundur, pasi çdo pacient që ndërron jetë përcillet për në morg bashkë me kartelën shoqëruese që përmban dhe arsyen e vdekjes , e cila është firmosur dhe vulosur me përgjegjësi profesionale dhe ligjore nga mjeku që e ka trajtuar deri në momentin e fundit”, thotë mjekja Najada Çomo.

Mjekja Çomo vijon deklaratën duke thënë se janë të gatshëm ndaj hetimeve për çdo kartelë mjekësore.  “Shkakun e vdekjes së një personi nuk e përcaktojnë dot politikanë, përveç mjekut përkatës. Kartelin e të ndjerit nuk e dyshojnë dot deklaratat bombastike që vënë në pikëpyetje humanizmin e autorit të tyre. Askush nuk mund ta ndryshojë dot shkakun e vdekjes dhe jo më pastaj një ekip i tërë mjekësh të akuzohet si i përfshirë në një monstruozitet me deklaratat e tilla. Bëj me dije se nëse akuza përsëritet ne do ftojmë organet kompetente të hetojnë dhe bëjnë verifikimin e çdo kartele mjekësore. Nuk do ta lejojmë këtë pa një ballafaqim qoftë ligjor apo miqësor. Duhet t’i jepet fund praktikës politike të lojës me vdekjen që ka sjellë  jo pak telashe në 30 vjet në jetën e bluzave të bardha. Kjo dalje jashtë shinave të së vërtetës në një kohë si kjo janë tejet të rrezikshme, deklaratat e figurave politike në këtë kohë duhet të jenë krejt të kundërta”, tha Çomo.

The post “U fshehën 600 vdekje nga Covid”/ Mjekja Çomo i përgjigjet Bashës: Është praktikisht e pamundur. Të gatshëm për hetime appeared first on Media .


Share

Komente