U përplas nga kamioni, humb jetën në SHBA, Mihallaq Milkani, vëllai i regjisorit të njohur
Është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare në SHBA, Mihallaq Milkani, pedagog i shquar i Flotës Luftarako-Detare të Shqipërisë, vëllai i regjisorit Piro Milkani.
Mihallaq Milkani ndërroi jetë tragjikisht pasi u godit nga një kamion në Worcester të Massachusetts, teksa po qëndronte me një mik të tijin në një parking të zonës.
Milkani ishte frekuentues i rregullt i një kafeneje në bulevardin “Richmond” ku mblidhej së bashku me shokët e tij shqiptarë dhe jo vetëm. Por qëlloi që këtë ditë, kafeneja ishte mbyllur dhe ata vendosën të shkonin diku tjetër. Gjatë rrugës, një kamion e përplasi teksa po kryente manovër në indietro në një shesh parkimi.
Mihallaq Milkani përshkruhej si një njeri shembullor, i dashur me të gjithë dhe një gjysh i palodhur që përkujdesej çdo ditë për nipërit dhe mbesat e tij.
I lindur dhe i rritur në Drenovë të Korçës, Mihallaq Milkani pati një rrugëtim të karakterizuar nga guximi, përkushtimi dhe dashuria e palëkundur.
Në moshën 22 vjeçare, në vitin 1957, Mihallaq Milkani u largua nga Shqipëria për të studiuar në akademitë detare në Shën Petersburg, Rusi dhe Riga, Letoni (atëherë ende pjesë e Bashkimit Sovjetik), sipas vëllait të tij më të vogël Piro Milkani, i cili është një prej regjisorëve më të njohur shqiptarë.
Mihallaq Milkani u kthye në Shqipëri, ku shërbeu si oficer i marinës deri në fillim të viteve 1970. Ai shërbeu në nëndetëse pranë ishullit të Sazanit.
Milkani dha mësim si profesor për rreth 10 vjet, deri në vitin 1982, në Akademinë Detare në Vlorë. Ai madje shkroi një libër shkollor që studentët e tij do ta përdornin si një manual të rëndësishëm.
“Edhe pse jam personazh publik në Shqipëri, shpesh herë njerëzit më ndalonin në rrugë për të më shtrënguar dorën dhe për t’u prezantuar si studentë krenarë për mësimet e vëllait tim në Akademinë Detare në Vlorë,” tha Piro Milkani.
“E gjitha ishte falë përkushtimit të Mihallaqit ndaj profesionit të tij”, u shpreh ai.