Shpërndaje lajmin

“Po shkarkojmë të gjithë komisarët ushtarakë rajonalë. Ky sistem duhet të drejtohet nga njerëz që e dinë me saktësi, se çfarë është lufta dhe pse cinizmi dhe korrupsioni në luftë paraqesin tradhti. Atyre luftëtarëve që ishin në front ose nuk mund të jenë më në llogore, për shkak se janë plagosur apo kanë humbur gjymtyrë, por kanë ruajtur dinjitetin dhe nuk janë cinikë, atyre mund t’ua besosh sistemin e rekrutimit”, u shpreh presidenti Volodymyr Zelensky, pas takimit të Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare, ku u mor vendimi.
Ky vendim u parapri nga një kontroll i zyrave rajonale të rekrutimit të ushtrisë ukrainase. Sipas të dhënave hetimore të Zyrës Shtetërore të Hetimit janë hapur 112 procese hetimore kundër përfaqësuesve të këtyre zyrave, 33 raste janë nën dyshimin e korrupsionit, 15 persona janë akuzuar.
Pasurim ilegal?
Javët e fundit Ukraina është tronditur nga disa skandale, ku të përfshirë kanë qenë drejtues të zyrave të rekrutimit. Kështu ish-komisari ushtarak i Odesas, Jevhen Borisov akuzohet, për pasurim ilegal në vlera milionëshe dhe shkelje të ligjeve të detyrimit ushtarak. Gazetarët kanë zbuluar, se të afërm të Borisov që nga fillimi i luftës në Ukrainë kanë blerë imobilje në Spanjë dhe makina të shtrenjta. Pas publikimeve, Borisovi u shkarkua nga detyra, u arrestua dhe ndodhet në proces.
Ndërsa në një kontroll tjetër doli, se komisari ushtarak i rajonit të Transkarpateve kishte angazhuar ushtarët për ndërtimin e shtëpisë së tij. Në Rivne, drejtuesi i një zyre rajonale kishte keqtrajtuar vartësit. Po ashtu u arrestua edhe drejtuesi i një zyre rajonale në Donjeck. Sipas hetimeve, rekrutët e kësaj zyre paraqiteshin sikur i bashkangjiteshin një brigade luftimesh, por realisht ata nuk kishin marrë pjesë asnjëherë në luftime dhe vazhdonin të merrnin pagën e caktuar. Në zyra rekrutimi në Kiev dhe 10 rajone të tjera u zbuluan raste, ku shiteshin raporte mjekësore për paaftësi në shërbim ushtarak.
Shqetësime të opozitës
Opozita në parlament ka kërkuar nga presidenti ukrainas të bëjë publike kriteret, në bazë të të cilave janë shkarkuar komisarët ushtarakë. Irina Heratshenko nga grupi parlamentar “Solidaritet Europian” do të dijë pse janë shkarkuar të gjithë. “Nëse të gjithë kanë marrë ryshfet dhe kanë qenë pjesë e veprimeve ilegale, atëherë ata nuk duhet vetëm të shkarkohen të gjithë, por edhe të arrestohen”, shkroi ajo në Telegram. Zelenski ka bërë fjalë për arrestime, por jo për të gjitha rastet.
Politologu Volodymyr Fesenko nga Qendra për Studime Politike të Avancuara, “Penta”, thotë se është opinioni publik ai që dëshiron ndërrimin e komisarëve ushtarakë dhe Zelensky e plotëson këtë me sukses. Sipas tij presidenti ka shpresë tek ata që kanë përvojë luftarake dhe që duhet të bëhen “roje morale kundër korrupsionit në sistem”. Në të njëjtën kohë, thekson eksperti, nuk bëhet fjalë për një reformë, dhe shteti nuk ofron dot mbrojtje të plotë nga korrupsioni. “Madje edhe për njerëzit e rinj do të jetë e fortë joshja. Ka poste lukrative, sepse shumë njerëz përpiqen të blejnë mundësinë për të mos shkuar në luftë.”
Ndërrimi i komisarëve ushtarakë është i nevojshëm por jo i të gjithëve njëkohësisht, sipas Hlib Kanevskij nga Qendra kundër Korrupsionit, Statewatch. Kjo do të “frenonte” sistemin e rekrutimit për të paktën tre muaj, thotë ai. “Të zëvendësosh të gjithë drejtuesit e vjetër me të rinj, sjell pikë plus për një kohë të shkurtër, sepse presidenti përmbush dëshirën për drejtësi. Por kur sistemi humb kaq shumë forca drejtuese njëkohësisht, kjo ka efekte negative në punë.” Sipas Kanevskij duhen bërë verifikime të brendshme dhe të fillohet me masa kundër korrupsionit, që sistemi i rekrutimit të punojë në mënyrë transparente.
Ljubov Halan nga qendra për të drejtat e njeriut, “Prinzip”, që mbështet ushtarët nga ana ligjore, beson, se korrupsioni edhe tek forcat e reja mund të luftohet vetëm me transparencë. “Nuk duhet të hetohen vetëm raste të veçanta, por nevojitet një reformim i sistemit, sepse kjo ndikon tej mase në perceptimin e mobilizimit ushtarak në shoqëri dhe atmosferën mes atyre që luftojnë ndërkohë. Në një kohë që një pjesë shpëtojnë nga rekrutimi duke e blerë me pak para, të tjerë janë në llogore. Kjo të zemëron, është e padrejtë dhe shkatërron besimin tek shteti”, thekson Halan. Në sistemin e rekrutimit nevojitet një menaxhim eficient elektronik i dokumenteve. Regjistri për rekrutët e thirrur në luftë duhet të jetë i lidhur me regjistra të tjerë elektronikë për të luftuar korrupsionin./DW

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *