Ushqime “superfood” nga Gjermania

Share

“Superfood” është një nocion që përdoret në marketing për të rritur çmimet e produkteve ekzotike. Por edhe në Gjermani prodhohen produkte ushqimore me ndikim pozitiv mbi shëndetin e njeriut.

Në fillim të vitit shumë njerëz i kthehen arsyes dhe mbas ushqimit me bollëk në ditët e festave të Krishtlindjeve dhe të fundvitit, i kthehen mënyrës së shëndetshme të ushqimit. Dietat janë pa fund, vegane apo paleo, mes tyre mund të zgjedhësh sa të duash.

Mes gjithë informacioneve kontradiktore lidhur me përfitimet që ka shëndeti nga përdorimi i ushqimeve të caktuara, specialistët e marketingut zgjedhin sidomos një nocion për të bërë reklama strategjike për një prodhim të mbushur me lëndë ushqyese, atë të “superfood”-it.

Ushqimi i shëndetshëm ndihmon shumë

farat

Por është e kotë të besosh se ekziston një ushqim i caktuar që i shpëton njerëzit nga sëmundjet e pashërueshme. Qendra Evropiane e Informacionit për Lëndët Ushqimore, (EUFID) në Bruksel, ka dhënë udhëzime që njerëzit të mos gënjehen nga etiketat që përdoren prej marketingut. E rëndësishme është të kihet kujdes që gjatë ushqimit njerëzit të bazohen tek sa më shumë produkte ushqimore.

Megjithatë etiketa “superfood” ka pasur ndikim në mënyrën e sjelljes së konsumatorëve në Europë. Si pasojë e kësaj tendence, sipas një raporti të Institutit për studimin e tregut, Mordor Intelligence 2018, Gjermania është kthyer në importuesin më të madh të farës së chia-s në Europë, një farë me emri latin salvia hispanica, me diametër 2 milimetra, në formë ovale dhe ngjyrë të zezë me pika të bardha.

Fara që vjen nga Amerika Latine është bërë vitet e fundit gjithnjë e më e preferuar në Europë. Bukë me farë chia, kos me farë chia, chia në sallatë, farat e vogla futen kudo në ushqime.

Disa gjermanë nuk janë të vetëdijshëm, që në vendin e tyre ka produkte ushqimore të pasura me lëndë ushqyese, si për shembull perimet dimërore si lakra jeshile, rrepa e kuqe ose mollët, fruti më i preferuar i gjermanëve.

Kur njeriu ushqehet me prodhime sezonale dhe rajonale, kjo i bën mirë jo vetëm shëndetit. Në këtë mënyrë ndihmohet në mënyrë të qëndrueshme edhe ekonomia lokale dhe rajonale. Dhe duke qenë konsumator, njeriu mbron edhe ambientin, sepse prodhimet lokale dhe rajonale nuk transportohen nga distanca të largëta. Dhe produktet vendase janë të freskëta.

Disa ushqime “superfood” që prodhohen në Gjermani janë lakra jeshile, rrepa e kuqe, hithra, qershia, boronicat, manaferrat e detit, mjedra, apo mollët.

Mollët fruti kryesor në Gjermani

Në Gjermani çdo person ha në vit mesatarisht 17 kilogram mollë. Mollët kanë pak kalori, përmbajnë antioksidantë që i bëjnë mirë zemrës, trurit, lëkurës dhe kockave. Mollët ulin po ashtu rreziqet për t’u sëmurë me diabetin e tipit 2. Falë mënyrave të ruajtjes në temperatura të ftohta, mollët mund t’i gjesh në treg gjatë gjithë vitit.

Hithrat: shumë lëndë ushqyese të vlefshme

hithra

Hithrat konsiderohen si bar i keq. Por kur një ditë u bënë analizat e hithrës u pa se ajo kishte aq shumë lëndë ushqyese të vlefshme, saqë shkencëtarët nuk u besonin syve kur panë rezultatet.

Hithra ka dy deri tri herë më shumë hekur se sa spinaqi, më shumë kalcium se sa qumështi dhe shumë shumë vitamin A, C dhe E. E gatuar ajo nuk të djeg më.

Trëndafilat e egër

trendafil

Në fund të vjeshtës dhe në dimër gjen në Gjermani shkurre trëndafili të egër me frënjëza që përmbajnë sasi të madhe vitamine C dhe karotenoide.

Në Gjermani përdoret shumë çaji me frënjëzat e trëndafilit të egër ose reçeli i bërë me to, por produktet që shiten në treg janë shpesh të bëra me frënjëza të importuara nga vende të tjera. Në landin e Baden Vyrtembergut ekziston një fermë që kultivon trëndafilin e egër./DW


Share

Komente