Vaksinimi i personaliteteve, Rama sulmon kritikët që dolën kundër: Stuhi në gotë! Ne po shfrytëzojmë imazhin e tyre

Share

Ka nisur mëngjesin e sotëm, në stadiumin Air Albania, procesi i vaksinimit personaliteteve mbi moshën 80 vjeç. Personi i parë, i cili ka hyrë për të bërë vaksinën është aktorja Tinka Kurti. Gjithashtu pritet që të vaksinohet edhe ish-Presidenti Alfred Moisiu, artisti Sherif Merdani, aktorja Margarita Xhepa, ish-Kryeministri Aleksandër Meksi, regjisori Pirro Milkani etj.

Ndërkohë nga Elbasani, Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar si aspak të denja reagimet lidhur me vaksinimin e personaliteteve, çështje që ngriti kritika nga presidenti Meta i cili e quajti ‘diferencim klasor’.

Rama sqaroi nga Elbasani se bëhet fjalë për personalitete mbi 80 vjeç të cilët do të vaksionohen të parët në këtë grupmoshë “për të dhënë një mesazh solidariteti me ta, një mesazh përkujdesjeje për ta”.

Ai shtoi se vaksinimi i personave mbi 80 vjeç do të nisë me këta personalitete edhe “për të shfrytëzuar pozitivisht imazhin dhe influencën e tyre te njerëzit”.

Duke iu përgjigjur akuzave presidentit Meta, kryeministri tha nuk ishte e denjë të ngrihej gjithë kjo “stuhi në gotë”, pasi këta personalitete i kanë dhënë vlera shoqërisë sonë.

“Bëhet fjalë për të filluar vaksinimin me personalitete, që janë 80-vjeçarë dhe për të dhënë një mesazh solidariteti me ta, një mesazh përkujdesjeje për ta. Vë re një far sekëlldie kur këta njerëz ndahen nga jeta, ka një moment lotderdhje dhe rrjedhje fjalësh e fjalimesh për ta, që nuk ma ha mendja se do të dukeshin më bukur, nëse ne do duhej të përballeshim larg qoftë me humbjen e ndonjërit prej tyre, për shkak të mungesës së vaksinës. Nga ana tjetër, edhe për të shfrytëzuar pozitivisht imazhin dhe influencën e tyre te njerëzit, në kushtet kur vaksinimi është një fushatë kudo. Nuk janë as të parët me diferencë, janë të parët në një ditë të parë, ku do të vaksinohen edhe njerëz të zakonshëm. Fillon me ta në mënyrë simbolike, në mënyrë shembullore, për të vijuar me tjerët. Por edhe këtë rast e përdorën për të shfryrë mllefin ndaj qeverisë dhe ndaj meje. Janë njerëz që i kanë dhënë kësaj shoqërie, kanë kontribuar dhe sakrifikuar për të krijuar vlera në këtë shoqëri, ndaj nuk besoj se do të ishte e denjë të ngrihej gjithë kjo stuhi në gotë, kur bëhet fjalë në fakt për dhjetëra persona, që në peshën e vaksinave që do të bëhen, janë disa pika ujë në det”, tha Rama.

 


Share

Komente