“Vaksinimi i personaliteteve, zallamahi e turpshme”/ Rama ia bën ‘qejfin’ vetes: Kur Shqipëria ka probleme vetëm PS mund ta zgjidhë

Share

Kryeministri Edi Rama foli sërish sot për akuzat mbi vaksinimin e personaliteteve në të 80-tat. Sipas kryeministrit, nuk ka qenë kurrë qëllimi që të bëjë diferencime në vaksinim anti-Covid.

“Nuk kam thënë asnjëherë që do të vaksinohen personalitete jashtë kategorisë që ka radhën për t’u vaksinuar. Kjo është një zallamahi që e krijuan zëdhënësit e opinionit publik, me në krye disa pseudo-personalitete, që lëshuan një ofensivë pa asnjë dinjitet, pa asnjë kuptim, pse po vaksinohen disa njerëz që janë 80-vjecarë e plus.

Të bëhet gjithë kjo për 20-30 njerëz, që i kanë dhënë këtij vendi shumëçka kanë pasur dhe që janë kontribuues në krijimin e vlerave morale, shpirtërore, kulturore, historike, të këtij vendi, kjo është e turpshme. Nëse ne do të kishim bërë një grup personalitetesh pa llogaritur këto kategori dhe do të kishim veçuar njerëzit në mosha të ndryshme, atëherë kjo do të hante një diskutim të fortë. Por kjo nuk ka qenë në qëllimet tona, as në realitetin e vaksinimit. Ne jemi në kushtet kur po luftojmë ditë-natë për të siguruar sa më shumë doza vaksinash.

70% e vaksinave të prodhuara sot në planet janë marrë nga 10 vende, 30% tjetër është ndarë mes shumë vendeve tjera, përfshirë dhe Shqipërinë. Unë e kuptoj shumë mirë që nëse shohim sot raportin e popullsisë dhe nevojës me dozat që kemi, dozat janë të vogla, por ama kemi filluar vaksinimin dhe po ecim. Sfida jonë është të mos ndalemi, por të kemi më shumë doza. Shumë shpejt do të kemi më shumë doza. Do të provoj edhe njëherë që kur bie një hall në këtë vend, ka vetëm një adresë për ta zgjidhur, Edi Rama dhe PS”, u shpreh Rama.


Share

Komente