Vazhdojnë protestat kundër grushtit të shtetit në Mianmar

Share

Turma të mëdha marshuan të dielën në Mianmar për të dënuar grushtin e shtetit të organizuar nga komandantët ushtarakë më 1 shkurt. Protestat e së dielës pasojnë reagimin e dhunshëm të forcave të sigurisë një ditë më parë ndaj demonstruesve, kur policia qëlloi mbi turmën duke lënë dy të vdekur.

Ushtria nuk ka qenë në gjendje të shuajë demonstratat dhe fushatën e rezistencës civile kundër grushtit të shtetit si dhe ndalimit të udhëheqëses së zgjedhur Aung San Suu Kyi dhe figurave të tjera politike, megjithëse premtoi zhvillimin e zgjedhjeve të reja dhe u përcolli një mesazh të fortë protestuesve.

Dhjetëra mijëra vetë kanë zhvilluar marshime paqësore në qytetin e dytë më të madh në vend, Mandalej, ku u vranë të shtunën dy protestues.

“Qëlluan në kokë civilë të paarmatosur,” tregon një protestues.

Zëdhënës të ushtrisë nuk u janë përgjigjur kërkesave të agjencive të lajmeve për komente.

Në një konferencë për shtyp të martën, një zëdhënës tha se veprimet e ushtrisë ishin brenda autoritetit që u jep kushtetuta dhe mbështeteshin nga popullata. Ai fajësoi protestuesit se po nxisin dhunë.

Në qytetin kryesor të vendit, Jangun, mijëra birmanezë, kryesisht të rinj, u mblodhën në pika të ndryshme duke kënduar e hedhur parulla.

Në qytetin verior të Mitkinas, nejrëzit vunë kurora në nderim të protestuesve të vrarë. Turma të mëdha u mblodhën edhe në qytete të tjera në verilindje të vendit.

Në Liqenin Inle, një destinacion popullor për turistët, një grup njerëzish, përfshirë edhe murgj budistë, me portretin e udhëheqëses Aung San Suu Kyi në duar, krijuan një flotilje proteste, duke kërkuar përfundimin e grushtit të shtetit.

Protestat që vazhdojnë prej më shumë se dy javësh janë zhvilluar kryesisht paqësore deri të shtunën kur u shënuan dy viktima.

Kjo situatë dallon dukshëm nga protestat me dhunë të dekadave të mëparshme deri në përfundim të juntës ushtarake më 2011.

Megjithë reagimin e dhunshëm të policisë të shtunën, protestuesit janë betuar të vazhdojnë demonstrimet.


Share

Komente