Vdekja e elektricistëve në Jagodinë, arrestohen  drejtori dhe inxhinieri i OST

Shpërndaje lajmin

Drejtori i Njësisë Operative të OST Fier Andi Prifti dhe një inxhinieri i kësaj njësie Eriseld Lala u arrestuan nga policia me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pas vdekjes së dy elektricistëve nga rrëzimi i një shtylle tensioni.

Shtylla në të cilën humbën jetën dy elektricistë. Foto:Valbona Davidhi

Drejtori i Njësisë Operative të OST Fier Andi Prifti dhe një inxhinieri i kësaj njësie Eriseld Lala u arrestuan nga policia të mërkurën, një ditë pas vdekjes së dy elektricistëve të kësaj kompanie publike prej rrëzimit të një shtylle të tensionit të lartë në Jagodinë.

Gjergji Duka 50 vjeç dhe Bashkim Saliasi 64, humbën jetën një ditë më parë në fshatin Jagodinë të Rroskovecit ku po ndërronin linjën e tensionit të lartë duke e kaluar nga shtyllat e vjetra e të amortizuara në ato të reja.

Policia e Fierit akuzon dy zyrtarët e OST se kanë shpërdoruar detyrën me urdhrin që i është dhënë dy punonjësve për të punuar në shtyllat e vjetra të tensionit të lartë. Policia e Fierit sqaroi se dy elektricistët nuk e kishin pjesë të punës së tyre hipjen në shtyllat e vjetra në Jagodinë.

“Arrestimi i tyre u bë pasi këta shtetas në bashkëpunim me njeri tjetrin kanë urdhëruar punonjësit e tyre të kryejnë punime në mënyrë të kundra ligjshme në linjën 110 KV në Jagodinë, Fier, ku si pasojë kanë gjetur vdekjen gjatë punimeve shtetasit Gj. D., 50 vjeç dhe B. S., 64 vjeç, punonjës të Njësisë Operative Fier”, thuhet në njoftimin e policisë.

BIRN nuk arriti të kontaktonte me avokatë të të arrestuarve. I pyetur një ditë më parë për aksidentin Drejtori i OST-së Andi Prifti tha se ai kishte ndodhur për shkak të këputjes së shtyllës.

Inspektorati i Punës ndërkohë ende nuk ka një raport për aksidentin e ndodhur në Jagodinë.  “Do të presim prokurorinë për të analizuar provat. Janë një sërë faktorësh që duhen analizuar dhe verifikuar po ne s’kemi asnjë provë materiale në dispozicion pasi ato i ka marrë prokuroria. Pasi të na vihen në dispozicion këto prova atëherë do të kemi një raport përfundimtar”, tha Mariglen Andrea drejtor i Inspektoriatit të Punës në Fier.

Ndërkohë në Kuçovë dhe Mallakastër kolegë e miq u dhanë lamtumirën e  fundit dy elektricistëve. Vetëm këtë vit 6 punonjës të OSHE dhe OST kanë humbur jetën në aksidente të lidhura me punën.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *