January 22, 2022

Vdekja e një emigranti trondit banorët e fshatit kufitar

Shpërndaje lajmin

Të mësuar me karvanë refugjatësh banorët e Dishnicës thonë se u tronditën kur mësuan për vdekjen e një emigranti nga i ftohti në malin e Moravës.

Fshati Dishnicë i Korçës | Foto : Dhorjela Çule

Një i ri emigrant i paligjshëm, me gjasë nga vendet e Lindjes së Mesme, u gjet i pajetë në malin e Moravës mbrëmjen e të mërkurës, në vendin e quajtur Shtegu i Venjave mbi fshatin Dishnicë.

Policia tha se ishte njoftuar për viktimën nga një grup tjetër refugjatësh që ndiqnin të njëjtën rrugë, ndërsa beson se ai kishte humbur jetën rreth tre ditë më parë për shkak të të ftohtit. Viktima besohet të jetë rreth të 30-tave dhe është ende i paidentifikuar. Ai është i dyti emigrant që humb jetën këtë vit në Korçë në kapërcimin e maleve mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Banorët e fshatit të Dishnicës, i pari fshat që hast pas shtegut të vështirë, i thanë BIRN se ishin tronditur nga ngjarja.

“Mos e pastë askush fatin e tij të keq se po vuajnë ata njerëz, burra, gra fëmijë djem të rinj,” thotë Haxhiu, një 80 vjeçar duke kujtuar se edhe vetë banorët e këtij fshati i kanë kaluar këto vështirësi kur bënin rrugën në krahun e kundërt e iknin në Greqi.

Sipas Agjencisë Europiane të Kufirit dhe Rojes Bregdetare, Frontex, në 10 muajt e parë të vitit 2021 në BE u diktuan 48,500 kalime të paligjshme të kufirit nga rruga migratore e Ballkanit Perëndimor. Vetëm në tetor u identifikuan më shumë se 9 mijë kalime të paligjshme, një rritje me 140 % në krahasim me një vit më parë.  Rreth 40% e emigrantëve që hynë ilegalisht në BE gjatë muajit tetor kaluan nëpërmjet Ballkanit Perëndimor.

Shumica e emigrantëve që përdorën këtë rrugë për të kaluar në mënyrë të paligjshme ne BE, vinin nga Siria, Afganistani dhe Maroku. Sipas një studimi të Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional, numri i emigrantëve të paligjshëm që kalojnë nëpërmjet Shqipërisë u rrit nga 1978 në vitin 2013 në 11,971 në vitin 2020.

Intervistat e policisë shqiptare me emigrantë të ndaluar nga Siria tregojnë se ata udhëtojnë fillimisht në Turqi dhe nga brigjet turke kalojnë Detin Egje për në Greqi. Ndërkohë, afganët kalojnë në Pakistan nëpërmjet kufirit duke ecur në këmbë dhe më pas ndjekin itinerarin Iran – Turqi- Greqi. Të dy grupeve më pas u duhet të kalojnë në kufirin e gjelbër për në Shqipëri për të vijuar më pas në Mal të Zi apo Kosovë.

Banorët e Dishnicës, që gjendet fare pranë Korçës, thonë se janë mësuar me kalimin e emigrantëve.  Fshati është prej kohësh një prej rrugëve që ndjekin emigrantët që pasi kalojnë këtu vazhdojnë në këmbë drejt Maliqit.

Shtegu i Venjave – siç e quajnë banorët e Dishnicës, është një prej shtigjeve më të vësthira nëpër të cilin duhet të kalojnë emigrantët për shkak të terrenit dhe borës në dimër.  Banorët thonë se në atë rrugë kalohet kryesisht në verë, por grupe të rinjsh e tentojnë edhe gjatë dimrit.

“Janë kryesisht grupe me të rinj që kalojnë tani sepse kontrollet janë më të pakta në kufi për shkak të borës,” Berti Bregu, banor i Dishnicës.

“Policia e ka të vështirë të ngjitet me makina ndaj dhe ata rrezikojnë në këtë kohë të kalojnë,” shpjegoi ai.

Sipas Bregut të mërkurën policia kishte ecur mbi një orë në këmbë për të shkuar deri tek vendi ku kishte humbur jetën emigranti.

Ai shtoi se gjatë verës në të njejtin shteg kalonin grupe të mëdha emigrantësh, mes të cilëve dhe gra e fëmijë.

Pasi depërtojnë nga Greqia në Shqipëri përmes fshatrave kufitarë të Devollit, emigrantët hyjnë në fshatin Hoçisht dhe më pas ngjiten në vargmalin e Moravës për të dalë në Dishnicë dhe më tej drejtohen në fshatrat Tërove dhe Rov. Duke ecur mes fushave ata dalin tek ura e lumit Devoll në Maliq, për të vazhduar më tej rrugën e tyre drejt Tiranës.

Shpesh banorët i orientojnë emigrantët për të gjetur rrugën që i nxjerr ata në urën e Tërovës, një itinerar që mes tyre është bërë i njohur.

Berti Bregu shpjegoi se kur mbërrijnë në fshat emigrantët gillimisht kërkojnë supermarket dhe më pas pyesin për fshatrat Tërovë dhe Rov.

“E dinë si shteg, por thjesht nuk dinë nga të kalojnë,” tha ai.

“Ka raste kur vjen  i kap policia, ka raste kur shpëtojnë dhe ikin, por deri tani nuk na kanë sjellë asnjë shqetësim,” theksoi ai, ndërsa shpjegoi se emigrantët  “thjesht gjejnë ndonjë hambar ku flenë gjatë natës dhe më pas ikin.”

Një tjetër banor që kërkoi të mos i përmendej emri, tha se situata e emigrantëve i kujtonte përpjekjet e tij dekada më parë. Ai thotë se ata nuk e njoftonin policinë edhe në rast se shikonin grupe me emigrantë që shpesh zgjedhin që të qëndrojnë në shtëpitë e braktisura apo hambaret e bazës ushqimore.

“I gjeta njëherë një grup prej 20 vetësh në hambarin tim. Ishin familjar. Mu drodh trupi dhe jua bëra me shenjë vetëm që mos pinin cigare se mos i vinin zjarrin dhe digjeshin edhe vetë. U dhashë edhe disa fruta. Pastaj u shpjegova rrugën që duhet të ndiqnin”, tha fshatari nga Dishnica.

Në janar të këtij viti një tjetër emigrant i paligjshëm u gjet i pajetë në fshatin Grapsh në Devoll teksa ishte mbytur në përroin e fshatit ku ishte rrëzuar aksidentalisht. I riu ishte lënë pas nga grupi me të cilin udhëtonte për shkak se e kishte pasur të vështirë të ecte ndërsa përpjekja e tij për të shkuar drejt vendeve të Evropës mbeti në mes.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *