Vendi me përdorimin më të madh të veturave elektrike

Shpërndaje lajmin

Nëse vizitoni Norvegjinë në vitet e fundit, mund të jeni befasuar jo vetëm nga peizazhet e mrekullueshme të vendit, por edhe nga numri i makinave Tesla që qarkullojnë në rrugët e Oslos.
Pasi kaloi nivelin 50% të automjeteve elektrike në vitin 2020, vendi i pasur skandinav vijoi tranzicionin drejt lëvizshmërisë elektrike vitin e kaluar.
Sipas Federatës Norvegjeze Rrugore (OFV), makinat elektrike përfaqësojnë 79% të shitjeve të automjeteve të reja për pasagjerë në vitin 2022 dhe 87% nëse përfshihen edhe makinat hibride plug-in.
Për t’i vënë gjërat në perspektivë, një shikim përtej oqeanit ofron një tablo tërësisht të ndryshme – në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, makinat elektrike, duke përjashtuar ato hibride – përfaqësojnë vetëm 2.6% të shitjeve të autoveturave në vitin 2021, transmeton monitor përcjell albinfo.ch.
Pse Norvegjia është kaq përpara në adoptimin e automjeteve elektrike? Është një ndërthurje e masave politike dhe pasurisë së vendit (në mënyrë ironike e arritur nga rezervat e shumta të naftës).
Norvegjia ka vendosur taksa të larta në importin dhe regjistrimin e automjeteve, duke i bërë makinat shumë më të shtrenjta se në pjesën më të madhe të vendeve të tjera.
Duke i hequr këto taksa për makinat elektrike, Norvegjia po subvencionon në mënyrë efektive blerjet e automjeteve elektrike në një nivel që vendet e tjera nuk mund ta përballonin. Nëse këtyre u shtohet edhe parkimi falas, blerja e një makine elektrike bëhet një propozim joshës.
Ajo që e bën edhe më të dukshëm bumin e automjeteve elektrike në Norvegji është fakti se energjia elektrike e vendit vjen thuajse ekskluzivisht nga energjia hidroelektrike.
Në këtë mënyrë, të ngasësh një makinë elektrike në Norvegji është edhe më e pastër krahasuar me vendet që kanë varësi të lartë nga qymyri.
 
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *