January 28, 2022

Vendimi i KPK: Klorinda Çela fshehu pasurinë dhe cënoi besimin e publikut

Shpërndaje lajmin

Gjyqtarja e Tiranës, Klorinda Çela është gjetur me mungesë burimesh financiare në vlera të mëdha dhe fshehje pasurie gjatë procesit të saj të vetingut, ndërsa Komisioni vlerëson se ajo nuk ishte gjithashtu bashkëpunuese.

Seanca dëgjimore në KPK për gjyqtaren Klorinda Çela. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtarja e Tiranës, Klorinda Çela u shkarkua nga detyra më 28 tetor, pasi rezultoi me mungesë burimesh financiare prej 55 milionë lekësh për justifikimin e pasurive familjare. Ashtu si në procesin e rivlerësimit për bashkëshortin e saj, gjyqtarin Ken Dhima, u konkludua se Çela kishte fshehur pasurinë, kishte kryer deklarim të rremë dhe se nuk ka qenë bashkëpunuese gjatë procesit të vetingut të saj, duke cenuar besimin e publikut tek drejtësia.

Klorinda Çela përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2005 dhe u emërua gjyqtare në Gjykatën e Elbasanit. Prej vitit 2013 dhe deri në shkarkimin nga detyra, ajo e ushtroi funksionin në Gjykatën e Tiranës. Në vitin 2014, ministri i Drejtësisë së kohës kërkoi shkarkimin nga detyra të gjyqtares Klorinda Çela dhe bashkëshortit të saj, Ken Dhima për shkak të problemeve me pasurinë – por kërkesa u rrëzua nga ish-Këshilli i Lartë i Dejtësisë. Dhima u shkarkua më 29 korrik 2021, pasi nga hetimi i KPK-së rezultoi gjithashtu me bilanc negativ në 12 vite si dhe me pasuri të fshehura.

Pasuri me hua dhe dhurime

Në vendimin e arsyetuar, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi pamundësi për pagesën e këstit të parë për një apartament me sipërfaqe 114.6 m2 në Tiranë, të porositur në vitin 2005 dhe të blerë 10 vite më vonë kundrejt shumës 74 mijë euro. Si burim për krijimin e kësaj pasurie, Çela ka deklarur të ardhurat nga pagat e saj dhe të bashkëshortit, të ardhurat nga shitja e librit të këtij të fundit në shumën 300 mijë lekë dhe një hua 2 milionë lekë marrë shtetasit A. Ç.

Nga hetimi ka rezultuar se subjekti dhe bashkëshorti kanë pasur pamundësi për krijimin e gjithë likujditeteve të zotëruara në dy depozita në vitin 2004 dhe se nuk kanë provuar të ardhurat e huadhënësit A.Ç.

Ndërkohë, ka rezultuar se në korrik të vitit 2015 huadhënësi A. Ç. ka marrë me qira nga subjekti dhe bashkëshorti i saj një njësi shërbimi me sipërfaqe 44 m2, kundrejt shumës prej 172 mijë lekësh në muaj.

Nëpërmjet një vërtetimi të vitit 2016, qiramarrësi ka deklaruar se ka paguar në mënyrë të rregullt deri në dhjetor të atij viti qiratë mujore në vlerën totale rreth 2.9 milionë lekë, ndërkohë që subjekti nuk e kishte shlyer ende huanë 2 milionë lekë.

“Konstatohet se e gjitha marrëdhënia financiare e subjektit të rivlerësimit me shtetasin A. Ç. paraqitet kontradiktore dhe pa logjikë ekonomike dhe, në këtë kontekst, Komisioni ngre dyshime të arsyeshme lidhur me vërtetësinë e marrëdhënies së huasë në masën 2,000,000 lekë dhe marrëdhënies së qirasë me këtë shtetas,” citohet në vendim.

Trupi gjykues nuk ka konsideruar as të ardhurat e pretenduara si të përfituara nga bashkëshorti prej botimit të librit, pasi nuk është dokumentuar shitja e tyre.

Subjekti ka deklaruar si burim për krijimin e katër pasurive njësi shërbimi e tregtare në Tiranë, të ardhurat e përfituara nga prindërit prej shpronësimit të një bar-restoranti në Pogradec në vlerën 14.4 milionë lekë dhe 311 mijë lekë për truallin.

Në vitin 2012, Çela ka deklaruar se babai i ka dhuruar një njësi shërbimi me sipërfaqe 44 m2 pranë Prokurorisë së Tiranës, por Komisioni konstaton se subjekti nuk ka depozituar dokumentacion justifikues ligjor mbi mënyrën e përfitimit të kësaj pasurie nga pala dhuruese, si dhe për të evidentuar ligjshmërinë e burimeve të të atit.

Ndërkohë, ka ezultuar se ky ambjent i është dhënë me qira në vitin 2013 me afat 2 vjeçar shtetasit E.Dh., por nga hetimi ka rezultuar se prej vitit 2009 e në vijim aty ka ushtruar aktivitet “bar-kafe” edhe babai i subjektit.

Në vitin 2015, Çela ka deklaruar një ambient shërbimi me sipërfaqe 46 m2 në Tiranë të blerë me hua nga prindërit prej të ardhurave të përfituara nga shpronësimi, si dhe të ardhura nga qiraja prej A.Ç. Nga hetimi janë konstatuar deklarime kontradiktore lidhur me huanë e marrë nga prindërit, pasi është pretenduar se është dhënë hua vlera 14.7 milionë lekë, por shuma 700 mijë lekë ka rezultuar se është depozituar me afat prej prindërve.

Ndërkohë, Komisioni ngre dyshime lidhur me shumën 500 mijë lekë të deklaruar se është përfituar nga dhënia me qira e njësisë së shërbimit shtetasit A. Ç., pasi subjekti dhe bashkëshorti pretendonin përfitimin e të ardhurave prej tij ndërkohë që kishin ende detyrime të pashlyera për huanë 2 milionë lekë të marrë në vitin 2005 për blerjen e një apartamenti në Tiranë.

Çela ka deklaruar si burim të ardhurat e prindërve nga shpronësimi, edhe për blerjen e një njësie shërbimi me sipërfaqe 47 m2 në Tiranë në vitin 2015.

Po në vitin 2015, Çela ka porositur edhe një njësi shërbimi me sipërfaqe totale 188.18 m2 në Tiranë, të përbërë nga tre njësi më të vogla, përkatësisht me sipërfaqe 47.23 m2, 42.62 m2 dhe 98.33 m2, kundrejt çmimit total 246 mijë euro nëse do të merreshin në dorëzim të përfunduara plotësisht dhe me vlerë 105 mijë euro nëse do të dorëzoheshin në gjendje karabina.

Edhe për këto pasuri, subjekti ka deklaruar në vitin 2015 të ardhurat e përfituara prej prindërve nga shpronësimi, ndërsa në deklaratën ‘veting’ ka pasqyruar një kredi në shumën 21 milionë lekë, të ardhurat nga dhënia me qira e dy njësive, si dhe pagat e saj e të bashkëshortit. Nga analiza financiare ka rezultuar balancë negative në vlerën 18.6 milionë lekë për blerjen e këtyre pasurive.

Ndërkohë, trupi gjykues konstaton se gjatë viteve 2016 – 2017 janë depozituar cash nga persona të tretë vlera monetare për shlyerjen e kësteve të kredisë. Nisur nga fakti se subjekti nuk ka paraqitur asnjë provë për të ardhurat e personave që kanë depozituar shumat cash, si për shkak të mosdeklarimit të këtyre huave apo dhurimeve, trupi gjykues ka konsideruar në analizë se e gjithë vlera e kredisë është paguar nga subjekti dhe bashkëshorti i saj.

Gjyqtarja Çela nuk ka deklaruar në vitin 2015 blerjen e dy garazheve në Tiranë, me sipërfaqe 18.9 m2 dhe 18.2 m2, me vlerë 4500 euro secili. Ndërsa në deklaratën ‘veting’ ka deklaruar si burime krjimi të ardhurat e saj dhe të bashkëshortit nga pagat si gjyqtarë, të ardhurat nga qiradhënia e shtetasit E. Dh. të njësisë së shërbimit.

KPK vëren se krahas mosdeklarimit të këtyre pasurive, Çela nuk ka deklaruar as pakësimin e gjendjes cash të vitit 2014 dhe as në vitet e mëpasshme. Për rrjedhojë në analizë nuk janë konsideruar likujditetet e pretenduara nga Çela, që ka rezultuar me balancë negative fondesh në shumën 1.5 milionë lekë.

Pasuri të fshehura

Në raportin e ILDKPKI-së, bazuar në informacionin e marrë nga agjencitë ligjzbatuese është evidentuar se në datën 3 shkurt 2011, bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit ka porositur nga shoqëria “S. C.” sh.p.k. një pasuri të llojit apartament në Shëngjin më sipërfaqe 190 m2. Kjo pasuri e porositur nuk është deklaruar në vitet 2011, 2012 dhe 2013 dhe as në deklaratën ‘veting’.

Subjekti ka dërguar deklarimin e bashkëshortit të vitit 2013, ku bashkëngjitur janë gjendur kontrata e sipërmarrjes së vitit 2011, deklaratë noteriale për prishjen e kësaj kontrate e vitit 2013 dhe kontratë sipërmarrje e vitit 2013 e lidhur mes të njëjtës shoqëri ndërtuese dhe vëllait të bashkëshortit të subjektit, shtetasit E.Dh..

Megjithëse bashkëshorti i Çelës ka pretenduar se kontrata është nënshkruar prej tij, pasi vëllai jetonte si emigrant në Greqi dhe nuk mund të ishte i pranishëm, nga verifikimi i kryer në sistemin TIMS ka rezultuar se E. Dh. ka qenë në territorin shqiptar ditën e nënshkrimit të kontratës së porosisë.

Transferimi i të drejtave të kësaj pasurie tek i vëllai i bashkëshortit konsiderohet se është kryer me qëllim shmangien e kontrollit dhe verifikimit të ligjshmërisë së burimeve financiare që kanë shërbyer për pagesat e kryera. Gjithashtu, subjekti ka rezultuar në pamundësi në shumën 6.9 milionë lekë për pagesën e këstit të parë në vitin 2011.

Situatë e ngjashme ka rezultuar edhe për një njësi tregtare me sipërfaqe 124 m2 në Tiranë. Në vitin 2010, subjekti ka deklaruar marrjen e një kredie në shumën 10 milionë lekë, por pa pasqyruar destinacionin e vlerës monetare.

Megjithëse Çela ka pretenduar se kredia është marrë për vëllanë e saj për pagesën e çmimit të një njësie tregëtare në Tiranë, pasi ai nuk ishte në kushtet për të marrë kredi, KPK ka gjetur se kontrata e furnizimit me ujë rezulton në emër të subjektit.

Gjithashtu, Komisioni konstaton se vëllai i saj nuk ka deklaruar të dhëna mbi kontratën e porosisë së nënshkruar me shoqërinë “S.” sh.p.k., çmimin e kësaj pasurie, pagesat e kryera, burimin e ligjshëm të të ardhurave, të cilat kanë shërbyer për kryerjen e pagesave dhe detyrimin e mbetur.

Nisur nga këto fakte, KPK ngre dyshime se kjo pasuri de facto është porositur nga subjekti i rivlerësimit dhe bashkëshorti, të cilët kanë rezultuar në pamundësi financiare në shumën totale 17.7 milionë lekë për ta blerë atë.

Komisioni nuk ka përfshirë në analizën financiare të përgjithshme të ardhura në vlera të konsiderueshme nga disa hua, dhurime, sponsorizime, ndihma financiare dhe të ardhura nga shitja e librave të deklaruara në vite nga subjekti i rivlerësimit pasi nuk është provuar përfitimi i tyre, shkaqet dhe burimet tyre.

Po ashtu, nuk është vërtetuar dot prej subjektit mënyra e përfitimit të një apartamenti banimi me sipërfaqe 92 m2 në Kavajë në vitin 2018, për të cilin ka pretenduar se e ka trashëguar nga babai.

Nga analiza financiare për periudhën 2003 – 2016 ka rezultuar balancë negative në vlerën totale 55,5 milionë lekë.

 

 

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published.