Vërshimet në vend, Veliu kërkon ngritjen e nivelit të gatishmërisë në nivel kombëtar

Share

Fillojnë vërshimet në Kosovë (Video) - Telegrafi

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka kërkuar nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ngritjen e nivelit të gatishmërisë në nivel kombëtar për vlerësimin e përgjithshëm të gjendjes në terren.

Veliu përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se deri më tani në Komunën e Gjakovës, Malishevës, Rahovecit, Drenasit dhe Suharekës ka pasur vërshime të pjesshme, derisa ekipet e AME-së janë në terren duke vepruar sipas nevojës dhe rrethanave.

“Bazuar në vlerësimin e përgjithshëm të gjendjes në terren, sot kam kërkuar nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ngritjen e nivelit të Gatishmërisë në Nivel Kombëtar. Ministria e Punëve të Brendshme, përmes AME-së, me vëmendje të shtuar po e përcjellë gjendjen aktuale të vërshimeve të pjesshme si pasojë e reshjeve të shiut.  Deri më tani në Komunën e Gjakovës, Malishevës, Rahovecit, Drenasit dhe Suharekës ka pasur vërshime të pjesshme, derisa ekipet e AME-së janë në terren duke vepruar sipas nevojës dhe rrethanave.  Në komunat tjera situata momentalisht është e qetë dhe nën kontroll”, ka shkruar Veliu.

Sipas tij, AME do të koordinojë të gjitha veprimet operacionale me shtabet komunale, për të ndërhyrë aty ku është e nevojshme, por edhe për t’i ndihmuar këto shtabe si me personel ashtu edhe me mjete.

“MPB do të informoi qytetarët në rast të përkeqësimit të gjendjes aktuale”, ka shkruar ndër të tjera Veliu në Facebook.

Ndryshe, reshjet e vazhdueshme të shiut gjatë ditës së sotme janë duke shkaktuar vërshime dhe vështirësi në qarkullim në disa pjesë të Kosovës. Këto reshje kanë përfshirë disa komuna si dhe fshatra të tyre, duke e bërë të pamundur qarkullimin e njerëzve si dhe veturave nëpër rrugë. /Telegrafi/


Share

Komente