Vetëm 12 minuta stërvitje fizike intensive, mjaftojnë për të ndryshuar gjakun në trupin tuaj

Share

Ushtrimet fizike të shkurtra në kohë, kanë më shumë ndikim mbi trupat tanë sesa mund ta mendoni. Një studim i ri tregon se vetëm 12 minuta aktivitet fizik intensiv, janë të mjaftueshme për të ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme biomarkerët e shëndetit metabolik në gjakun e njerëzve.

Studiuesit analizuan reagimet e 411 burrave dhe grave të moshës së mesme pas 12 minutave ushtrime invensive, duke zbuluar se ato kishin një efekt tek më shumë se 80 për qind të metabolitëve qarkullues në gjakun e pjesëmarrësve. Këta metabolitë, mund të veprojnë si tregues të shëndetit kardio-metabolik, kardiovaskular afatgjatë, duke sugjeruar që edhe një aktivitetet shumë i shkurtër fizik mjafton që njeriu të sigurojë përfitime për disa nga proceset kryesore biologjike të trupit të tij.

“Dihen shumë gjëra mbi efektet e stërvitjes në sistemet kardiake, vaskulare dhe inflamatore të trupit. Por studimi ynë ofron një vështrim gjithëpërfshirës të ndikimit metabolik të stërvitjes, duke i lidhur rrugët specifike metabolike me variablat e reagimit ndaj stërvitjes fizike dhe pasojat shëndetësore afatgjata”-thotë Gregori Liuis, specialist i zemrës në Spitalin e Përgjithshëm të Masaçusets në SHBA.
“Ajo që na ra në sy në këtë studim, ishin efektet që mund të ketë në nivelet qarkulluese të metabolitëve që rregullojnë funksione të tilla kryesore trupore si rezistenca ndaj insulinës, stresi oksidativ, reaktiviteti vaskular, inflamacioni dhe jetëgjatësia, edhe një ushtrim fizik intensiv për pak minuta”-shton ai.

Një shembull i përmendur nga studiuesit është glutamati i metabolitit. Ai është i lidhur me sëmundjet e zemrës, diabetin dhe një jetë më të shkurtër, që gjatë studimit binte mesatarisht me 29 për qind. Ndërkohë metaboliti DMGV (acid dimetilguanidino valerik), që shoqërohet me një rrezik në rritje nga Diabeti dhe sëmundja e mëlçisë, ra me 18 për qind.
Studiuesit raportuan disa variacione sipas gjinisë si dhe Indeksin e Masës Trupore të pjesëmarrësve. Për shembull kishte shenja që mbipesha mund të kufizojë disa nga përfitimet e ushtrimeve me intensitet të lartë. Një total prej 588 metabolitësh u gjurmuan dhe u matën nga studiuesit.

Më tej, të njëjtat teknika të përdorura në këtë rast, mund të përdoren për të pasur një pamje më të përgjithshme të shëndetit të dikujt, gjykuar nga metabolitët që qarkullojnë në gjakun e tyre.“Studimi ynë zbuloi se metabolitët e ndryshëm, gjurmohen pas përgjigjeve të ndryshme fiziologjike ndaj stërvitjes, dhe për këtë arsye mund të sigurojnë ndryshime unike në qarkullimin e gjakut, që zbulojnë nëse një person është fizikisht i aftë. Kjo është një mënyrë shumë më e saktë sesa testet aktuale të gjakut, për të përcaktuar se sa mirë funksionojnë veshkat dhe mëlçia”- thotë kardiologu Matju Nejor po nga Spitali i Përgjithshëm i Masaçusetsit.

Të dhënat për analizën e re u morën nga Studimi i Zemrës Framingham, një projekt studim, por që përfshin tre breza njerëzish. Ndërsa të dhënat për studimin kanë nisur të mblidhen që nga viti 1948, studiuesit mund të shohin se si biomarkerat metabolike ndikojnë në shëndetin afatgjatë të njeriut. Tani ka një mori studimesh, që tregojnë se edhe pak ushtrime fizike mund t’ju sjellin shumë përfitime edhe nëse lëvizni vetëm për 1 orë në javë , trupi mund ta ndiejë dobinë. Lëvizja dhe qëndrimi fizikisht aktivë, mund të ndihmojë në luftën kundër kancerit, e forcon kujtesën dhe ju ndihmon të bini në peshë./CNA.al


Share

Komente