October 28, 2021

Vëzhguesit ndërkombëtarë kërkojnë shkarkimin e prokurores Imeraj për lidhje me krimin

Shpërndaje lajmin

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dorëzoi dokumente shtesë te Komisioneri Publik, përfshirë dokumente të drejtësisë italiane, të cilat thonë se ish-bashkëshorti dhe ish-kunati i kryeprokurores së Tiranës Elisabeta Imeraj janë dënuar në Itali për organizim prostitucioni dhe trafikim qeniesh njerëzore.

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj dhe vëzhguesi i ONM, Theo Jacobs në seancën e KPK. Foto: LSA

Vëzhguesit ndërkombëtarë dorëzuan një amendim të rekomandimit të tyre të mëparshëm për apelim për shkarkimi nga detyra të kryeprokurores së Tiranës Elisabeta Imeraj pasi morën dokumente gjyqësore italiane për të vërtetuar se dy persona të dënuar në Itali në vitin 2002 për organizim prostitucioni dhe trafik qeniesh njerëzore janë me të vërtetë ish-bashkëshorti dhe ish-kunati i prokurores.

Imeraj u konfirmua në detyrë në prill nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pasi kishte marrë bekimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por vëzhguesit ndërkombëtarë lëshuan deklarata të paprecedenta më 22 qershor duke kërkuar apelimin e vendimit të konfirmimit në detyrë dhe shkarkimin e saj për të trija kriteret. Ndërkombëtarët vërejtën se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit “dështoi të verifikojë kontaktet e mundshme të subjektit dhe dy personave të dënuar në Romë”.

Imeraj deklaroi se ish-bashkëshorti dhe ish-kunati i saj kanë kartelë penale të pastër.

Por ajo që në rekomandimin e 22 qershorit u përshkrua si “indicie të forta” për dënimin e ish-bashkëshortit dhe ish-kunatit për trafik qeniesh njerëzore, në amendimin e rekomandimit të dorëzuar të martën, ndërkombëtarët thonë se tashmë ka prova.

“Sipas Vëzhguesve Ndërkombëtarë, jo vetëm që gjetja e lidhjes mes subjektit të rivlerësimit dhe njrëzve të dënuar por edhe qartësimi nëse personat e dënuar janë me të vërtetë ish-bashkëshorti dhe ish0kuinati, ka rëndësi të madhe për një përqasje më të mirë në vlerësimin e subjektit,” shkruhet në dokumentin amendues të rekomandimit. [Link]

“Për sa më sipër, VËzhguesit Ndërkombëtarë i dorëzoijnë Komisionerit Publik për vlerësim dokumente të mëtejshme nga autoritetet gjyqësore italiane të lidhur me procedimet onale në gjykatë kundër *** (me nofkën ***) lindur në tetor *** 1975, dhe *** *** lindur në jana ***, 1970, për veprat penale të organizimit të prostitucionit dhe trafikut të qenieve njerëzore, bashkë me përkthiiin e pjesëve të këtij dokumentacioni nga italishtja në shqip,” shkruhet në amendim.

Vëzhguesit dorëzuan gjithashtu te Komisioneri Publik edhe një vendim të vitit 2016 të Gjykatës së Krimeve të Rënda, në bazë të së cilit, sipas vëzhguesve, zbulohet se Imeraj nuk ka kryer hetimet e nevojshme duke dëmtuar cilësinë e hetimit. Vëzhguesit kërkojnë që ky vendim të shqyrtohet në rastin e Imerajt për kriterin e aftësive profesionale.

Rasti i Imerajt u bë çështje ndërkombëtare më 22 qershor kur ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe ajo e Bashkimit Evropian publikuan deklarata mbështetëse për rekomandimin për apelim të vëzhguesve. Bordi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit me bazë në Bruksel publikoi një deklaratë më vete në emër të Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, ku e cilëson se rasti i Imerajt ka rëndësi “për të siguruar integritetin, pavarësinë dhe tërësinë e procesit të vetingut”. [Link]

Zyra e komisionerëve publikë ka edhe pak ditë kohë nga sot për të apeluar ose jo vendimin e KPK.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *