January 15, 2022

Vjedhja e energjisë elektrike zbulon “shtëpinë e barit” në Malësinë e Madhe

Shpërndaje lajmin

Policia e Shkodrës njoftoi se kishte arrestuar një 42-vjeçar dhe shpallur në kërkim të shoqin, pasi u gjeti 139 kilogramë kanabis dhe një bodrum të përshtatur për rritje të drogës.

Bodrumi i përshtatur për rritje të kanabisit në Shkodër. Foto Policia e Shtetit.

Policia e Shkodrës njoftoi të premten se kishte zbuluar një “shtëpi bari” në bodrumin e një ndërtese në Jeran të Malësisë së Madhe. E zonja e shtëpisë, Marjana Vuksani 42 vjeç u arrestua, ndërsa bashkëshorti Gjovalin Vuksani, 55 vjeç, u shpall në kërkim.

“Gjatë operacionit është zbuluar një ambient i përshtatur për kultivim të kanabisit, me anë të llambave, në një banesë ku kishte lidhje të paligjshme elektrike”.

Në bodrumin e shtëpisë së tyre në fshatin Jeran në Malësinë e Madhe  u gjetën 139 kg kanabis,  fidanë të lëndës narkotike të kultivuar në vazo, 63 llamba elektrike dhe bazë materiale që shërbente për kultivimin e kanabisit nëpërmjet llambave elektrike.

Çifti i bashkëshortëve u tradhtua nga një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike që ishte zbuluar gjatë një kontrolli të OSHEE kundër këtyre lidhjeve, pasi ishin evidentuar humbje të pazakonta në rrjet gjatë muajve të fundit në këtë zonë.

Dy bashkëshortët akuzohen për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *