Vjena, në kërkim të 21 mijë punëtorëve të rinj
Me rreth 67,000 të punësuar, Qyteti i Vjenës është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në Austri. Megjithatë, kjo shifër nuk është e mjaftueshme për kryeqytetin austriak, shkruajnë mediat austriake, përcjell albinfo.at
Deri në vitin 2030, rreth 21,000 vende pune do të mbeten vakante në qytetin e Vjenës. Zhvillimet e reja në fushën e mbrojtjes së klimës dhe teknologjisë, zhvillimin e popullsisë dhe daljet në pension sigurojnë plotësimin e zëvendësimeve të nevojshme, por edhe krijimin e fushave të reja të punës. Konkretisht, punëtorët janë veçanërisht të kërkuar për profesionet teknike, në fushën e mbrojtjes së klimës dhe energjive të rinovueshme, si dhe në fushën e çështjeve sociale dhe arsimit.
“Përshkrimet e vendeve të punës në administratën e qytetit të Vjenës janë ndryshe po aq sa qyteti ynë – nga puna në natyrë në shumë fusha sociale, teknike dhe digjitale, ne ofrojmë vende pune klasike dhe inovative. Mundësitë për avancim janë të shkëlqyera, kushtet janë të jashtëzakonshme”, citohet të ketë deklaruar kryebashkiaku i Vjenës, Michael Ludwig.
Përveç tjerash, Vjena është në kërkim të punëtorëve në fushën e shëndetësisë, pedagogjisë, IT-së, infrastrukturës dhe sigurisë.