April 19, 2021

Vritet në atentat i dyshuari si anëtar i “Bandës së Durrësit”

Shpërndaje lajmin

Ky lajm u publikua fillimisht në www.reporter.al, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative.

Edmond Koçi, i njohur edhe me pseudonimin “Mond Çekiçi” u qëllua ndërsa udhëtonte me makinë në qytetin e Durrësit. Ndaj Koçit kishte një masë “arrest në shtëpi”, pasi u arrestuar në vjeshtë të vitit të kaluar për “armë mbajtje pa leje”.

Policia pas një ngjarje të ndodhur në qytetin e Durrësit. Foto ilustruese Geri Emiri

Policia e Durrësit njoftoi se mëngjesin e së shtunës ishte vrarë në një atentat, ndërsa udhëtonte me makinë 40-vjeçari Edmond Koçi. Koçi dyshohet se ishte pjesë e të ashtuquajturës “Banda e Durrësit” dhe u ekzekutua rreth orës 8.40 të mëngjesit.

Policia e Durrësit njoftoi se ngjarja ndodhi në lagjen numër 16 të qytetit.

Disa minuta pas atentatit policia identifikoi mjetin që dyshohet se i përket autorëve, teksa po digjej në zonën e Sukthit. “Është gjetur duke u djegur një mjet tip “Benz”,  me targa të vjedhura, që dyshohet se është përdorur nga autorët”, shkruante njoftimi për mediat policia.

Policia njoftoi se pas ngjarjes ka rrethuar zonën dhe po bën krehjen e saj me qëllim kapjen e autorëve. “Janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore në hyrje e në dalje të Durrësit, si edhe në drejtim të Tiranës e Kavajës”, njoftoi policia.

Edmond Koçi dyshohet si pjesëtar i klanit kriminal të njohur si “Banda e Durrësit” dhe si njeri i afërt me drejtuesin  saj, Lulzim Berisha.  Koçi ishte po ashtu aksioner në kompaninë “Liburnët 1”, e cila merret me ngarkim shkarkimin në Portin e Durësit.

Në të kaluarën ai ishte ndaluar disa herë nga policia, kryesisht me akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe kundërshtimit të forcave të policisë.

Herën e fundit ai u arrestua në shtator të vitit 2020 pasi u kap me armë ndërsa shëtiste me mottor në qytet. Por ai nuk qëndroi gjatë në qeli dhe u lirua në masë “arrest shtëpie” me kërkesë të ish-prokurores Rabiana Halili, të cilës dy ditë pas këtij vendimi iu miratuar dorëheqja në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, me pretendimin se dyshohej se ishte i sëmurë me COVID-19.

Në vendimin e masës së sigurisë gjyqtari i çështjes, Petraq Çuri, argumentoi se masa nuk ishte e duhura, por se ai nuk mund të caktonte më shumë nga sa kërkohej prej prokurores së çështjes.

“Kemi të bëjmë me një person i cili ka qenë dënuar më parë për të njëjtën vepër penale dhe për rrjedhojë caktimi i një mase sigurimi si ajo e “arrestit në shtëpi” nuk do t’i sigurojë organit të akuzës pjesëmarrjen e tij në hetim dhe në gjykim”, shkruan Çuri në vendimin e gjykatës së 28 shtatorit 2020.

Ai thotë se treguesit e rrezikshmërisë së Koçit ishin të tilla që ai nuk mund të lihej me masë “arresti shtëpie”, por konfirmoi kërkesën pasi gjykata “nuk mund të japë një masë sigurimi më të rëndë se ajo që propozon prokurori”.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *