Vuçiq: Deklaratat e Putinit për Kosovën rrisin presionin mbi Serbinë

Shpërndaje lajmin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se vendi i tij “është nën presion gjithnjë e më të madh” për të njohur pavarësinë e Kosovës.
Ai tha se situata në Serbi “ka ndryshuar për të keq”, pas deklaratave të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Ky i fundit, më 26 prill, e ka krahasuar Kosovën me dy rajonet separatiste në Ukrainë, Donjeckun dhe Luhanskun, të njohura bashkërisht si Donbas.
Kundërpërgjigje Putinit: Kosova s’është Donbas 
Rusia, ashtu si edhe Serbia, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Duke iu drejtuar kombit, pasditen e së premtes, Vuçiq tha se “i gjithë Perëndimi do t’i kërkojë Serbisë që të shkojë shpejt kah njohja e pavarësisë së Kosovës, në mënyrë që t’i thotë Putinit se Kosova nuk mund të krahasohet me atë që po ndodh në territorin e Ukrainës”.
Sipas tij, “një numër i vogël vendesh thonë se janë në favor të normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës” dhe se “një numër në rritje kërkon njohje reciproke”.

Gjermania sinjalizon përfshirje më të madhe në dialog

Vuçiq tha se Serbia “po paguan çmim të lartë” edhe për faktin se nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Serbia mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka sanksionuar shtetin rus, me gjithë thirrjet e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara.
Si iu përgjigj Ballkani Perëndimor pushtimit rus në Ukrainë?
Fjalimi i Vuçiqit pason qëndrimin e tij në Berlin më 4 maj.
Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, janë pritur në takime të ndara nga kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Ky i fundit ka porositur se njohja e Kosovës nga Serbia duhet të jetë pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Kurti, pas takimit, ka thënë se “njohja reciproke duhet të jetë në qendër dhe jo në fund të procesit të negociatave me Serbinë”.
Vuçiq, në anën tjetër, ka thënë se Serbia “do të bëjë të pamundurën për të arritur një zgjidhje kompromisi”./REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *