Vullnetarët e huaj nga Gjermania dhe Zvicra u vijnë në ndihmë kafshëve në Durrës
Me rritjen e temperaturave dhe shtimin e numrit të turistëve në qytet, po rritet edhe urgjenca për të adresuar problematikat që lidhen me kafshët e rrugës.
Këto të fundit, shpesh të braktisura ose të lindura në rrugë, luftojnë kundër urisë, sëmundjeve dhe neglizhencës, ndërsa në jo pak raste janë bërë edhe burim shqetësimi e incidentesh.
Prandaj, një grup vullnetarësh nga Shqipëria, Zvicra dhe Gjermania janë mbledhur sëfundmi në Fllakë të Durrësit.
Ata janë duke punuar për sterilizimin dhe kastrimin e kafshëve, sidomos atyre të rrugëve.
Xheni Muller Hasanaj – Presidente e organizatës “Jeta, kafshët dhe njerëzit” deklaroi: “Ky mision është shumë i rëndësishëm, sepse numri i kafshëve të rrugës është shumë i madh dhe pjellësia e tyre vjen nga kafshët me pronarë, të cilët nuk i mbajnë, por i hedhin ato në rrugë.”
Sipas Hasanaj, mbarështimi i pakontrolluar i kafshëve të rrugës nënvizon nevojën urgjente për ndërhyrje, që shkojnë përtej zgjidhjeve të përkohshme.
“Kafshët e rrugës nuk mblidhen, sepse ato janë lindur dhe rritur në rrugë. Kafshët që hidhen në rrugë, që janë përgjegjësi e pronarëve, duhet të merren masa për mbajtjen nën kontroll të tyre me ‘database’ nga bashkitë dhe shteti shqiptar”- tha ajo.
Jo vetëm pushteti lokal a qendror, një rol të rëndësishëm luajnë edhe vullnetarët, që për fat të keq janë shumë pak.
Dhe në ato pak, kryesojnë të huajt.
“Në të gjithë Durrësin, ne numërohemi me gishtat e dorës, aq pak jemi. Ka shumë pak vullnetarë, që të bëjnë diçka për kafshët”- deklaroi vullnetarja Zamira Kuçi.
“Jemi shumë të lumtur që kam ardhur, sepse mendoj se është një nevojë imediate për popullin tuaj këtu, pra kastrimi dhe sterilizimi i kafshëve, të shtëpisë dhe sidomos atyre të rrugës”- deklaroi Kuçi.
Veç shërbimeve shëndetësore për kafshët e braktisura, duke iu ofruar një strehë për të mos u kthyer në një rrezik për komunitetin, ky grup vullnetatësh ofron shërbime falas edhe për kafshët me pronar.