“Wanderlust in Albania”/ Kumbaro rrëfen takimin me gazetarin e BBC: Surprizuese të shikoja Shqipërinë e rinisë time
Në ambientet e kryeministrisë është duke u zhvilluar mbrëmja gala e Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Videove më të bukura promovuese për Shqipërinë Turistike, “Wanderlust in Albania” në vitin më spektakolar të turizmit.
Pjesë e këtij konkursi janë 687 konkurrentë nga 40 vende të botës, që nga Australia e largët, India, Japonia, Kina e kudo në Europë. Mësohet se fitues në kategorinë ‘Peisazh’ u shpallën në foto Fatjon Plaku, Bleron Cakja dhe në video Aldo Care.
Ndërkohë, fjalën e mori dhe ministrja e Turizmin, Mirela Kumbaro, e cila rrëfeu ndër të tjera takimin e saj me një gazetar shumë të njohur në BBC dhe The Independet, i cili vinte çdo gjashtë vjet në Shqipëri dhe e fotografonte për të shkruar artikuj ndërkombëtar.
Kumbaro tha se nisur nga fotot që pa u kthye pas në kohë dhe vuri re shumë ndryshime të vendit tonë, të cilat janë reflektuar në fushën e turizmit.
“Ky konkurs ishte një ide që na erdhi ndërkohë që punonim këto dy vite dhe mblidhnim foto. Ndryshe nga ajo që kisha menduar, doja të ndaja një përvojë me ju shumë intere, një gazetar i BBC dhe The Independet që quhet Simon, erdhi në Tiranë për të vizituar Shqipërinë, për të bërë disa reportazhe për këto dy media britanike dhe kërkoi një intervistë me ministrin e Turizmit, duke iu përgjigjur kësaj kërkese, zbulova se ai nuk vinte për herë të parë në Shqipëri, ai kishte ardhur në 1985 dhe pastaj sërisht 1989 me kërshërinë dhe kuriozitetin e një britaniku për të zbuluar një vend të çuditshëm për të cilën nuk dinte asgjë. Ai kishte bërë disa fotografi në ato vite, të cilat i ndau dhe me mua. Ishte surprizuese dhe për mua të shikoja Shqipërinë e rinisë time dhe e shumë personave këtu në sallë. Si ishte Shqipëria e thjeshtë e vogël, me biçikleta në Tiranë, dhe pa makina. Ai kishte ardhur më pas çdo gjashtë vjet në Tiranë. Unë vendosa që këto foto t’i ndaja me ju, sepse për fotografinë po flasim”, tha ndër të tjera Kumbaro./