Xhambazi: Humbja nuk është dramë, ja ku gaboi Skënderbeu me Partizanin

Share

Skënderbeu pësoi disfatë në kampionat përballë Partizanit në një ndeshje të dominuar krejtësisht nga kundërshtari. Për ikonën korçare, Dhimitraq Xhambazi, ndeshja e fundit ndaj të kuqve ka qenë e keqinterpretuar nga bardhekuqtë që zgjodhën mënyrën e gabuar për të luajtur atë takim.

Mungesat, sipas Xhambazit, kanë qenë një pengesë jo e vogël për ekipin që nuk ka mundur të shprehë të gjithë cilësinë e vet në një ndeshje, e cila dihej se do të ishte e vështirë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi i Skënderbeu cilëson se një humbje e tillë, në këtë situatë ,nuk duhet të bëhet dramë, por ekipi duhet të gjejë mundësinë për të reaguar pasi gjithçka është herët për të ndikuar në sezonin aktual.

“Një ndeshje e tillë kur ke një ekip të ri edhe mund të ndodhë, pasi ekipi ende nuk ka krijuar eksperiencën e vet dhe një fizionomi në lojë. Ndaj Partizanit, ajo që u pa që në fillim ishte se ekipi nuk kishte qëndrueshmëri në të dyja fazat e lojës.

Një ekip i gjatë në fushë dhe me lojtarë që nuk njihnin pozicionin e tyre. Mendoj që ndryshimi i skemës ishte një gabim në këtë takim, pasi u duk që lojtarët nuk po përshtateshin në fushë me atë rreshtim. Nga ana tjetër, dukshëm përballë kishin një ekip më të përqendruar dhe i mirëvendosur në fushë.

Tani nuk është dramë që të humbësh një ndeshje të tillë përballë një kundërshtari si Partizani. Ajo që ka më shumë rendësi tani është që ekipi të reagojë dhe të japë sinjalet e veta në ndeshjen e radhës”, theksoi fillimisht Xhambazi në lidhje me takimin e fundit ndaj Partizanit.

REAGIMI – Katër pikë në javët e para të kampionatit për Skënderbeun nuk janë mjaftueshëm, duke parë pretendimet që ka pasur ekipi në vitet e fundit. Xhambazi mendon se ekipi duhet të rikuperojë pikë në javët e ardhshme duke u shfaqur si ekip më i përqendruar dhe i mirëvendosur në fushë.

“Në javët e para gjithmonë ekipet janë të lëkundura në paraqitje, por Skënderbeu ka pasur luhatje të mëdha nga njëra ndeshje në tjetrën, madje edhe brenda një takimi. Duke parë ndryshimet që janë bërë në ekip, largimet e shumta si dhe afrimet e lojtarët e rinj pa eksperiencë, dihej që nuk do të ishte një ekip i qëndrueshëm si në sezonet e kaluara. Por javët ikin shpejt dhe në fund janë pikët ato që vlejnë. Për këtë arsye mendoj se në javët e ardhshme ekipi duhet të kërkojë maksimumin dhe të grumbullojë pikë. Pasi në kaq javë të kesh katër pikë nuk të japin siguri”, vijoi ish-sulmuesi.

KAMPIONATI – Për sa i përket Superiores, ikona e klubit korçar komenton edhe ekipet e këtij sezoni duke mos cilësuar asnjë si pretendent. “Është e vështirë të veçosh pretendentët për titull në këtë sezon, pasi ekipet nuk janë duke shfaqur ndonjë diferencë të madhe nga njëri-tjetri. Fituesi i sezonit të fundit, Tirana, nuk po tregon të njëjtën cilësi.

Nga ana tjetër, Partizani me merkaton e bllokuar do ta kishte të vështirë të bënte diferencën. Kukësi ka pasur probleme në javët e para, ndërsa Teuta nuk po arrin dot të tregojë vlerat. Të gjitha ekipet e tjera janë në një nivel dhe të bësh diferencën është e vështirë”, përfundoi ishsulmuesi i Skënderbeut, Dhimitraq Xhambazi.


Share

Komente