September 25, 2021

Zbulohen 14 pako të dyshuara me kokainë në Portin e Durrësit

Shpërndaje lajmin

Dy persona janë ndaluar nga policia dhe një sasi ende e papërcaktuar lënde e dyshuar si kokainë është bllokuar në Portin e Durrësit nga policia.

Kontejner në Portin e Durrësit. Foto ilustruese Geri Emiri

Policia e Durrësit dhe autoritetet doganore zbuluan 14 pako të dyshuara me lëndë narkotike kokainë brenda një kontejneri që ishte i mbushur me banane.

Policia njoftoi se operacioni ishte rezultat i punës së task-forcës së përbashkët me autoritetet doganore dhe falë informacioneve që dispononte policia.

“Kanë ushtruar kontroll të detajuar në një kontejner të ngarkuar me banane për llogari të një firme në Shqipëri”, njoftoi më tej policia, duke shtuar se 2 persona janë shoqëruar në komisariat për tu pyetur në lidhje me ngjarjen.

Policia njoftoi se grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Durrës po vijon hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, teksa policia po vijon me kontrollin e mëtejshëm të kontejnerit dhe peshimin e lëndës narkotike të dyshuar si kokainë.

Porti i Durrësit është ekspozuar nga operacionet e fundit policore si një portë shumë e rëndësishme për sjelljen e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine. Pak javë më parë, më 16 qershor u sekuestruan rreth 300 kg kokainë, e cila ishte grupuar në disa pako me kode të ndryshme dhe emra markash.

Ndërsa më 10 prill policia sekuestroi në port një sasi prej rreth 143 kilogramësh kokainë, e cila vinte nga Ekuadori.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *