Zgjedhjet në 14 shkurt, Kurti: Do të jenë një referendum, politika e keqe para popullit

Share

Zgjedhjet e 14 shkurtit do te jenë një referendum,  tha lideri i vetëvendosjes Albin Kurti, pasi presidentja në detyrë Vjosa Osmani caktoi datën e zgjedhjeve të parakohshme. Osmani shpërndau parlamentin pak orë pas publikimit të aktgjykimit të plotë mbi zgjedhjen jo kushtetuese të qeverisë Hoti.

“Zgjedhja e qeverisë koti, ka qenë kot”. Më këto fjalë e nis reagimin e tij lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, pas vendimit për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 14 shkurt.

“Kemi humbur shumë vite, jo vetëm muaj. Këto zgjedhje nuk janë të parakohshme, por të vonuara. Mirëpo, këto zgjedhje janë referendum. Me 14 shkurt politika e keqe ndodhet para gjyqit popullor. Me 14 shkurt, festën e zemrës e bëjmë edhe kremte të demokracisë”.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani shpalli datën e zgjedhjeve të parakohshme dhe shpërndau parlamentin, pasi gjykata kushtetuese e Kosovës publikoi aktgjykimine plotë prej 65 faqesh lidhur me zgjedhjen jokushtetuese të Qeverisësë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Çështja lidhur me kushtetutshmërinë e votimit të Qeverisë Hoti u dërgua në Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi për konfirmimin e saj me 3 qershor, shërbeu vota e Etem Arifit, të dënuar për veprën penale “mashtrim me subvencione”.

Në aktgjykim thuhet se një person i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të ketë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës.

Kjo ngre pikëpyetje mbi kandaturën e Kurtit, i cili në janar të vitit 2018 u dënua më kusht bashkë më deputetë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit.  Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani thotë se aktgjykimi i Kushtetueses është i qartë, dhe se Kurti nuk mund të kandidojë.


Share

Komente