Zgjedhjet në Dibër: Minatori sindikalist sfidon partitë politike

Shpërndaje lajmin

Qarku i Dibrës do të zgjedhë këtë vit pesë deputetë nga gjashtë që kishte herën e kaluar. Kjo e bën garën në këtë qark të hapur ku njëra nga të dy palët do të kapë ose do të humbasë një deputet. Megjithatë, surpiza elektorale e këtyre zgjedhjeve mund të vijë nga kandidati i pavarur Elton Debreshi.

Bulevardi “Elez Isufi” në qytetin e Peshkopisë. Foto: Hysen Likdisha.

Qarku i Dibrës konsiderohet historikisht bastion i Partisë Demokratike por në dy zgjedhjet e fundit, skema kontroverse zgjedhore kanë ndikuar në përmbysje të konsiderueshme rezultatesh ndërkohë që rënia e popullsisë bëri që në zgjedhjet e 25 prillit në këtë qark të zgjidhen pesë deputetë nga gjashtë më parë.

Zgjedhjet e 25 prillit e gjejnë qarkun me ndryshime të konsiderueshme në panoramën politike. Faktori “Çam”, i cili mundësoi fitoren e zgjedhjeve për pushtet vendor më 2016 përmes blerjeve masive të votave dhe shantazhit, duket se kësaj here nuk është në lojë ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila fitoi një mandat deputeti me Përparim Spahiun, garon këtë herë me mjekun Hajri Laçi.

Ndërkohë në fushëbetejë ka hyrë në qark edhe minatori Elton Debreshi, i cili garon si kandidat i pavarur. Debreshi përballet me një betejë të vështirë pasi atij i duhet që të marrë njëkohësisht vota për t’u zgjedhur deputet dhe vota për të kaluar pragun kombëtar në masën 1%. Në rast se Debreshi nuk e kalon pragun, një nga dy partitë e mëdha, PD ose PS, do të mund të maksimizojë rezultatin në mandate.

Në zgjedhjet e vitit 2009, Partia Demokratike mposhti socialistët në masën 49 me 30% ndërsa votat e LSI, 5.4%, ishin të pamjaftueshme për të prodhuar një mandat deputeti. Kjo bëri që PD të marrë katër mandate deputetësh dhe PS dy. PD arriti të marrë një mandat me afro 8,600 vota deputetësh ndërsa PS mori një mandat për çdo 10 mijë vota.

Në vitin 2013, Partia Demokratike humbi katër mijë vota në krahasim me zgjedhjet e mëparshme ndërsa PS dhe LSI, të cilat garonin bashkë, morën sëbashku mbi 35 mijë vota, ose 10 mijë më shumë se sa më 2009. Rrjedhimisht, PD humbi një mandat në krahasim me vitin 2009 dhe këtë mandat e fitoi LSI. Në zgjedhjet e vitit 2017, PD pësoi një rënie tjetër dramatike në vota në Dibër, por votat e humbura prej saj duket se i fituan jo nga Partia Socialiste por nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila dërgoi në parlament 22 vjeçaren Reme Lala. Rrjedhimisht në zgjedhjet e vitit 2017 mandatet e Dibrës u ndanë 2 PS, 2 PD, 1 LSI dhe 1 PDIU. PDIU garon aktualisht në listat e PD-së ndërsa grupi i PDIU-së së Dibrës u godit nga skandali i blerjes dhe shantazhimit të votuesve, njohur si dosja 184. Aktualisht Reme Lala nuk është më kandidate.

LSI, e cila besohet gjerësisht se është dobësuar gjatë katër viteve të qëndrimit në opozitë, nuk e ka shumë të sigurt mandatin e saj në Dibër. Në këto kushte duket sikur gara në Dibër ka mbetur në ndonjë farë mase mes PD dhe PS ndërsa dy faktorët e tjerë, LSI dhe kandidati i pavarur Debreshi përballen me vështirësi. Në këtë rast, secilës prej partive të mëdha do t’u mjaftojë të fitojnë qoftë edhe një votë më shumë se sa tjetra për të marrë tre mandate, duke lënë kundërshtarin me dy mandate.

Partia Socialiste aktualisht kontrollon të katërta bashkitë e qarkut, Dibrën, Bulqizën, Klosin dhe Matin ndërsa ka vendosur kryetarin aktual të bashkisë Dibër, Dionis Imeraj në vend të tretë, duke e vënë në atë në pozicion mbijetese. Nëse Partia Socialiste nuk del forcë e parë dhe nuk e merr mandatin e tretë, Imeraj është ai që humbet ndërkohë që është detyruar të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë për shkak të kandidimit. Imeraj akuzohet nga opozita si pjesë e strukturës që bleu dhe shantazhoi votuesit në vitin 2016 por që nuk është çuar në gjykim nga prokuroria dhe nuk është shpallur fajtor nga ndonjë gjykatë.

I lindur në Dibër por banor i Tiranës që nga koha e shkollës së mesme, 38 vjeçari i diplomuar në ekonomi ka punuar si analist kredie dhe punonjës banke para se të kalonte në vitin 2013 si punonjës tatimor në Dibër dhe më pas, në Tiranë.

Dy të parët në listën e PS në Dibër janë Lavdrim Krrashi, i prezantuar si emigrant i kthyer në vendlindje dhe Aurora Mara, e cila ka studiuar drejtësi në La Sapienza në Romë dhe ka punuar në administratën publike qendrore. Lista e PS vijon me figura të politikës lokale, Melaim Damzi, mjek dhe ish-kryebashiak i Bulqizës për Lëvizjen Socialiste për Integrim garon i katërti në listën e PS ndërsa i pesti është Spartak Koltraka, një drejtor dhe ish-drejtor lokal i OSHEE dhe Sigurimeve Shoqërore në Dibër, gjithashtu i akuzuar nga opozita si pjesë e dosjes 184. Në vend të gjashtë nga pesë vende në garë, socialistët kanë vendosur Anisa Xhikën, një infermiere, e cila, bashkë me Aurora Marën plotëson kushtin ligjor të pasjes 30% gra në listat e kandidatëve.

Partia Demokratike ka vendosur përballë tyre politikanin Xhelal Mziu, kryetar jetëgjatë i Bashkisë Kamëz, i arrestuar dhe gjykuar për abuzim detyre por që ka dalë i pafajshëm nga gjykatat. Vetë Mziu është i lindur në Dibër, siç është edhe një pjesë e konsiderueshme e popullsisë që banon aktualisht në Bashkinë Kamëz. Pas tij në vend të sigurt është Kreshnik Çollaku, një politikan tjetër nga Tirana. Në vend të tretë dhe të pasigurt gjendet ish-deputetja Dhurata Tyli (Çupi), e cila ka punuar si juriste në Bashkinë Tiranë mes viteve 2011 dhe 2015 para se të bëhej deputete më 2017. Ajo ka punuar edhe më herët në administratë publike. Tre emrat pasuese në listë janë banorë të qarkut ku janë kandidatë. Edmond Isaku nga Bulqiza garon në vend të katërt ndërsa Luan Haka nga Peshkopia garon në vend të pestë. Njësoj si lista e PS, edhe ajo e PD e ka plotësuar kuotën gjinore duke kandiduar në vend të gjashtë nga pesë vende në garë mjeken Irini Shehu.

PSVendbanimiCVPDVendbanimiLINK CV
1Lavdrim KrrashiLondër/TiranëLINKXhelal MziuKamëzLINK
2Aurora MaraBurrelLINKKreshnik ÇollakuTiranëLINK
3Dionis ImerajPeshkopiLINKDhurata Tyli (Çupi)TiranëLINK
4Melaim DamziTiranëLINKEdmond IsakuBulqizëLINK
5Spartak KoltrakaPeshkopiLINKLuan HakaPeshkopiLINK
6Anisa XhikaPeshkopiLINKIrini ShehuTominLINK

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *