Zgjedhjet në veri: Ku dhe si do të votohet?

0
Shpërndaje lajmin

Më 23 prill qytetarët me të drejtë vote në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, do t’u drejtohen qendrave të votimit për të zgjedhur katër kryetarë të rinj dhe dy përbërje të reja të asambleve komunale, përcjell albinfo.ch.
Por, për dallim nga herët e kaluara, në këto zgjedhje – që bojkotohen nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista serbe – votimet, përveçse në disa shkolla, do të mbahen edhe në kontejnerë.
 
Pse po mbahen zgjedhjet?
Më 5 nëntor të vitit 2022, kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje.
Ata, së bashku me asamblistët komunalë dhe zyrtarë të tjerë nga sektori i sigurisë e drejtësisë, e morën këtë vendim në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës, që i obligonte serbët t’i zëvendësonin targat e makinave të tyre, të lëshuara nga Serbia, me ato RKS – Republika e Kosovës.
Dorëheqjet kolektive krijuan vakum institucional dhe bënë që mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të caktohej fillimisht për datën 18 dhjetor të po atij viti.
Procesi në këtë datë u anulua, pas rritjes së tensioneve në veri. Grupe të serbëve lokalë sulmuan më 6 dhjetor zyrtarët zgjedhorë në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, të cilët po përgatisnin mbajtjen e zgjedhjeve.
Tensionet vazhduan dhe kulmuan me disa incidente me armë zjarri dhe me vendosjen e barrikadave në rrugët që çonin drejt dy vendkalimeve kufitare me Serbinë: Jarinjë dhe Bërnjak.
Barrikadat u vendosën pas arrestimit të ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq, i akuzuar për sulm kundër zyrtarëve zgjedhorë. Ato u hoqën pas disa javësh, përkatësisht pasi Pantiqit iu ndryshua masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak.
Kosova dhe Serbia, ndërkohë, arritën marrëveshje për çështjen e targave. Kosova hoqi dorë nga ndëshkimet që parashihte vendimi për shoferët që kanë makina me targa ilegale serbe, ndërsa Serbia u pajtua të mos lëshonte më targa me emërtime për qytetet e Kosovës, sikurse KM (Mitrovica e Kosovës), PR (Prishtinë) e të ngjashme.
 
Kush do të garojë në zgjedhjet e 23 prillit?
Për zgjedhjet për katër kryetarët në veri do të garojnë 11 kandidatë, dy prej të cilëve vijnë nga komuniteti serb.
Subjektet në garë janë: Iniciativa qytetare Mitrovica, Partia Demokratike e Kosovës, Partia e Serbëve të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe një kandidate e pavarur.
Zgjedhje do të mbahen edhe për të zgjedhur dy asamble të reja komunale: në Leposaviq dhe në Zveçan.
Numri i përgjithshëm i qytetarëve që mund të votojnë, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është 45.095.
Më 23 mars, një ditë pas përfundimit të afatit për paraqitjen e kandidaturave në KQZ, Lista Serbe tha se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje për shkak të “pasojave të dhunës së vazhdueshme institucionale”, të cilat “i zbaton regjimi i [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurti”.
“Para së gjithash, për shkak të mospërmbushjes së kërkesave tona të qarta, të cilat ishin arsye pse u larguam nga institucionet e Kosovës, përkatësisht: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqja e të gjitha forcave speciale nga veriu i Kosovës”, u tha në njoftimin e Listës Serbe.
Ajo nuk solli ndonjë provë që do t’i mbështeste pretendimet e saj për “dhunë institucionale”.
 
Votimi në kontejnerë
Votimet për zgjedhjet në Kosovë zakonisht zhvillohen në shkolla. Në veri, sipas KQZ-së, në të kaluarën janë hapur 44 qendra të votimit. Por, për zgjedhjet e 23 prillit, të hapura do të jenë 19 qendra votimi, 13 prej të cilave do të jenë të vendosura në kontejnerë.
 
Hapja e qendrave të votimit në shumë shkolla, kësaj radhe, u bë e pamundur, pasi ato kontrollohen nga strukturat që punojnë sipas sistemit të Serbisë, i cili i kundërshton zgjedhjet.
Prandaj, KQZ-ja tha se qendrat alternative do të jenë në kontejnerë, që do të vendosen në lokacione të ndryshme në katër komunat në veri.
 
Çfarë u tha në Prishtinë dhe në Beograd për zgjedhjet?
Vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve në veri u përcoll me qëndrime të ndryshme në Prishtinë dhe në Beograd.
Përderisa autoritetet në Kosovë e akuzuan Serbinë se përmes mediave po “frikëson” serbët e veriut që të marrin pjesë në zgjedhje, ato në Serbi thanë se vendimin për mospjesëmarrje në zgjedhje, Lista Serbe e ka marrë vetë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 18 prill se nuk ka informacione se po përgatiten pengesa për procesin zgjedhor. Megjithatë, ai tha se Beogradi po kërkon nga serbët që të mos marrin pjesë në të.
“Unë i ftoj që të gjithë këta që kanë të drejtë vote, të dalin dhe të votojnë. E di që kjo qëndron në kontrast me thirrjet që vijnë nga kryeqyteti i fqinjit tonë verior. Por, ne nuk kemi informacione, të cilat do të na bëjnë të mendojmë që po përgatiten pengesa, pengime të këtij procesi, përveçse frikësimit mediatik që vjen nga Beogradi zyrtar”, tha Kurti.
Kurti u shpreh i bindur se zgjedhjet do të mbahen dhe tha se në disa komuna mund të ketë edhe rund të dytë.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se pas 24 prillit, Kurti “do të jetë kryetar i Mitrovicës së Veriut”, duke aluduar se serbët nuk do të marrin pjesë në proces zgjedhor.
Ai, po ashtu, përsëriti kushtet e serbëve që të kthehen në institucionet e Kosovës: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.
Në Prishtinë, megjithatë, kishte edhe zëra kundër mbajtjes së zgjedhjeve. Organizata joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV) deklaroi në fillim të prillit se rrethanat aktuale “nuk mundësojnë organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri” sipas standardeve për zgjedhje të lira.
Kjo organizatë tha se fakti që nuk ka shumë kandidatë nga radhët e komunitetit serb – pasi në katër komunat në veri mbi 90 për qind e popullsisë është serbe – mund ta cenojë legjitimitetin e institucioneve që do të dalin nga këto zgjedhje, pasi “nuk garantohet përfaqësim i drejtë i komunitetit serb”.
DnV e konsideroi si “të brishtë” situatën në veri.
Por, për ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, gjendja në veri, që nga përfundimi i luftës më 1999, nuk ka qenë e mirë. Gjatë një raportimi para një komisioni parlamentar, më 14 prill, ai tha se “çështja e sigurisë në veri kurrë nuk ka qenë më e mirë, institucionet e sigurisë kurrë nuk kanë bërë punë më të mirë”.
Kundër mbajtjes së zgjedhjeve u shpreh edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, aktualisht deputet i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Gjatë një fjalimi në Kuvendin e Kosovës, Haradinaj tha se për shkak të gjendjes në veri, autoritetet do të duhej ta shtynin mbajtjen e zgjedhjeve.
 
Çfarë thanë ndërkombëtarët?
Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – që njihen si shtetet e QUINT-it – bënë thirrje që më 23 prill “të gjitha palët të ushtrojnë përmbajtje dhe ta shmangin dhunën” që do të mund ta prishte procesin zgjedhor.
Shtetet e QUINT-it shprehën keqardhje që në zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri, Lista Serbe nuk e shfrytëzoi “të drejtën demokratike për të marrë pjesë në to”
Keqardhje, ngjashëm, shprehu edhe Bashkimi Evropian.
“Zgjedhjet janë gur themeli i demokracisë dhe BE-ja gjithmonë e ka theksuar rëndësinë e gjithëpërfshirjes”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për Radion Evropa e Lirë më 27 mars.
Sipas tij, më e rëndësishme është që këto zgjedhje të mbahen në kushte paqësore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *