September 18, 2021
Shpërndaje lajmin

Pas një fillimi të plogësht, Zvicra tashmë ka kapërcyer vendet e saj fqinje dhe madje edhe SHBA-në kur bëhet fjalë për shpejtësinë e vaksinimit.

Tani ajo do të bëjë edhe një hap tjetër përpara, falë 2.5 milionë dozave të tjera të vaksinës që pritet t`i vijnë.

Se asnjë shtet nuk qëndron më mirë se Zvicra kur bëhet fjalë për vaksinimet, tregohet nga të dhënat aktuale të Zyrës Federale të Shëndetit Publik (BAG), shkruan gazeta “SonntagsZeitung” në botimin e sotëm.

Për shkak se qindra mijëra doza vaksinash kanë mbërritur në javët e fundit, Zvicra aktualisht po vaksinon me shpejtësi rekord. Më shpejt se vendet fqinje dhe madje edhe SHBA, të cilat kanë mbajtur rekordin vetëm disa javë më parë.

Vetëm këtë javë, Zvicra ka injektuar 80,000 doza në ditë, ose 0,9 doza për 100 banorë, transmeton albinfo.ch. Bëhet fjalë për një vlerë kulmore që vendet si Gjermania, Italia, Franca ose Anglia nuk mund ta arrijnë, vazhdon “SonntagsZeitung”.

Vetëm kampionët e vaksinimit, Izraeli dhe SHBA kanë injektuar më shumë doza në ditë, për kokë banori në shkurt dhe prill sesa Zvicra këtë javë.

Gjithsej, rreth tre milionë njerëz në Zvicër kanë marrë të paktën një dozë vaksine deri më tani.

Siç raporton gazeta, Zvicra madje do të jetë në gjendje të rrisë ritmin në ditët në vijim. Të shtunën në mbrëmje, kanë mbërritur një milion doza të vaksinës Moderna në farmacitë e ushtrisë. Sipas BAG, kjo është shuma më e madhe e dorëzuar në një ditë deri më sot. Zvicra pret 2.5 milion doza të tjera vaksine në qershor.

Presidenti i Mjekëve Kantonalë, Rudolf Hauri, bën thirrje që popullata të vaksinohet, përcjell albinfo.ch. Deri më tani, rreth një e treta e Zvicrës, pothuajse tre milionë njerëz, kanë marrë dozën e parë dhe 20 për qind e popullsisë janë plotësisht të vaksinuar.

Situata epidemiologjike në Zvicër pritet të relaksohet më tej – megjithë variantet e virusit të mutuar.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *