Zvicra pritet të heqë më 1 prill detyrimin e maskës në transportin publik

Shpërndaje lajmin

Nga 1 prilli, Këshilli Federal, sipas paralajmërimeve të bëra më 16 shkurt, pritet të heqë detyrimin e mbajtjes së maskës ​​në transportin publik dhe detyrimin për izolim, transmeton albinfo.ch. Kjo do të thotë që njerëzit që kanë rezultuar pozitivë, veç tjerash, do të mund të jenë në mes njerëzve.
Po kështu, grupi i punës për Covid (Task Forca) do të shpërbëhet në fund të marsit.
Pra, nëse gjërat shkojnë sipas planit të Këshillit Federal, masat e fundit do të merren për dhjetë ditë.
Këshilli Federal do të analizojë zhvillimin në fund të muajit dhe do të japë informacion se si të vazhdohet, shkruan Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG) e pyetur nëse këto masa do të hiqen, siç është planifikuar.
“Nëse situata epidemiologjike e lejon, rregullorja e Covid 19 do të skadojë automatikisht më 1 prill”, transmeton albinfo.ch. Për këtë nuk kërkohet konsultim i mëtejshëm i kantoneve. Ato më pas mund të miratojnë masa mbrojtëse ndaj Covid me autoritetin e tyre.
Përfaqësuesi i BAG, Mathys në konferencën e sotme për shtyp ka thënë se, sipas këndvështrimit mjekësor, mbajtja e maskës garanton mbrojtje të mirë nga infeksioni. Por, ka shtuar ai, fjala e fundit për ose kundër heqjes së detyrimit të maskës, i mbetet Qeverisë Federale. “Ajo mban parasysh edhe aspekte të tjera, krahas atij shëndetësor”, ka thënë Mathys.
Por, jo të gjithë i mirëpresin këto plane. Drejtoresha e Shëndetësisë e Cyrihut Natalie Rickli ka bërë thirrje që të vazhdohet detyrimi për maskë. Mjeku i lartë i kantonit paralajmëron gjithashtu për kujdes.
 
 
 

Leave a Reply

Your email address will not be published.