Zvicra rrit sigurinë në ambasadën izraelite në Bernë
Zvicra po forcon masat e sigurisë në ambasadën izraelite në Bernë dhe konsullatën izraelite në Gjenevë pas sulmeve ndaj Izraelit nga grupi islamik palestinez Hamas dhe bombardimeve hakmarrëse të Izraelit, konfirmoi të dielën Zyra Federale e Policisë, FEDPOL, shkruan swissinfo.
Policia federale u ka kërkuar forcave të policisë kantonale të bëjnë rregullimet e nevojshme, tha një zëdhënës i FEDPOL për agjencinë e lajmeve Keystone-ATS.
Megjithatë, FEDPOL refuzon të zbulojë detaje për të shmangur kompromentimin e sigurisë dhe efektivitetit të masave, përcjell albinfo.ch.
Ndryshe, siguria është forcuar në Francë, Gjermani dhe Britani rreth sinagogave, shkollave hebraike dhe memorialeve teksa në Zvicër, mbrojtja e institucioneve fetare në parim është përgjegjësi e policisë kantonale. Disa institucione, si shkollat dhe sinagogat, marrin mbështetje financiare për masat mbrojtëse.