December 1, 2021

Zyrtari i lartë i SHBA-së në Bosnje: Kriza artificiale, nuk do të lejojmë ndryshime kufijsh

Shpërndaje lajmin

Ndryshimi i kufijve që janë përcaktuar me Marrëveshjen e Dejtonit nuk do të jetë i pranueshëm për Shtetet e Bashkuara, tha anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Zhelko Komshiq, pas takimit me Zëvendësndihmës-Sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Vlerësimi i Escobar është që gjithçka që po ndodhë në Bosnje dhe Hercegovinë është një krizë artificiale dhe nuk ka asnjë bazë reale. Shtetet e Bashkuara mbështesin anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian sa më shpejtë që të jetë e mundur”, tha Komshiq.

Komshiq shtoi se në takim nuk është diskutuar për sanksione të mundshme ndaj politikanëve të caktuar në Bosnje, por bisedimet janë përqëndruar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit.

“Ne gjithmonë do të kemi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për procese të tilla”, tha Komshiq.

Millorad Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnjës, ka kërcënuar së fundmi me largim të Republikës Sërpska nga institucionet kombëtare, siç është autoriteti i taksave, agjencia për ilaçe dhe nga ushtria.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, në prag të vizitës në Bosnjë dhe Hercegovinë, Escobar ka thënë se do të fliste me ambasadorin e SHBA-së në Sarajevë, para se të shpallte sanksionet e mundshme për cenim të marrëveshjes së Dejtonit, pa specifikuar se cilat sanksione mund të ishin një fjalë. Ai gjithashtu tha se në konsultim me ambasadorin do të vendoste nëse do të takonte liderin serb të Bosnjës, Millorad Dodik.

Anëtari tjetër i presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq tha të hënën (8 nëntor) pas takimit me Eskobarin se u diskutua për vazhdimin e rrugës evropiane të vendit.

“Është e nevojshme që vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkëpunojnë ekonomikisht në tregun ekonomik rajonal, në kuadër të Procesit të Berlinit, nën kujdesin e Bashkimit Evropian”, tha Xhaferoviq.

Ai tha se e kishte informuar Escobarin se ishte e papranueshme që institucionet shtetërore të bllokoheshin, pasi autoritetet e Republikës Serpskës kishin bojkotuar punën e tyre që nga korriku, kur ish-Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje Valentin Inzko imponoi ndryshime në ligjin penal që ndalon mohimin e gjenocidit dhe krimet e luftës .

Në njoftimin për vizitën e Escobarit, ambasada e SHBA-së tha se Escobar do të qëndrojë në Sarajevë dhe Banja Llukë për të “përsëritur mbështetjen e SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës”./ REL


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *